Vrasja e rëndë në Mitrovicë, Prokuroria jep detaje
Foto: Zëri / Ilustrim

Vrasja e rëndë në Mitrovicë, Prokuroria jep detaje

Kronika May 28, 2026 - 09:05

Një vrasje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në “Lagjen e Romëve” në Mitrovicë, ku për pasojë një 37-vjeçar ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga therja me thikë, kurse vëllai i tij ka mbetur i plagosur, shkruan Zeri.info.

Prokuroria Themelorë në Mitrovicë ka bërë të ditur se tashmë është arrestuar një i dyshuar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë, pa ndërhyrje:

Mitrovicë, 28 maj 2026 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se mbrëmjen e 27 majit 2026 në “Lagjen e Romëve” në Mitrovicë ka ndodhur një vrasje e rëndë, ku si pasojë e plagëve të marra në fyt nga një armë e ftohtë – thikë, një person i gjinisë mashkullore ka humbur jetën, ndërsa është plagosur edhe vëllai i tij.

Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari dhe, me vendim të prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, i njëjti është dërguar në mbajtje.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë brenda afatit të paraparë ligjor, për të dyshuarin do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. /Zëri