Arrestohet 35-vjeçari në Tiranë - i sekuestrohen kokainë, kanabis e para
Policia e Shtetit ka arrestuar 35-vjeçarin, E.T., banues në Tiranë, të cilit iu gjeten kokainë, kanabis e para.
Policia ka sekuestruar 833 gramë lëndë narkotike kokainë dhe 576 gramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.
“Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Policia e Tiranës, me fokus identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që individualisht ose në grupe, janë përfshirë në sigurimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, në zona të ndryshme të kryeqytetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve finalizuan operacionin e koduar ‘Implikimi’.
Gjatë operacionit u ndalua në afërsi të një njësie pushimi, në fshatin Bërzhitë, dhe u vu në pranga shtetasi E. T., 35 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, atij iu gjetën 833 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, 576 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 930 euro të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike.
Lëndët dhe paratë u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin e të arrestuarit.
Nga hetimet dyshohet se ai i kishte siguruar lëndët narkotike, me qëllim shitjen në sasi të konsiderueshme, kryesisht në zonën ku u kap dhe në Qytet Studenti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.