Sekuestrohet në Gjilan motoçikleta e një personi që dyshohet se rrezikoi policët dhe pjesëmarrësit në trafik
Foto: Laura Hasani

Sekuestrohet në Gjilan motoçikleta e një personi që dyshohet se rrezikoi policët dhe pjesëmarrësit në trafik

Kronika June 27, 2026 - 17:17

Zyrtarët e Policisë së Kosovës nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjilan, të angazhuar në kuadër të Task Forcës “Siguria në Trafik”, kanë lokalizuar një person të dyshuar nga Gjilani, i cili në disa raste nuk kishte përfillur urdhrat e policisë për t'u ndalur, duke rrezikuar sigurinë në komunikacion.

Sipas njoftimit të policisë, më 26 qershor 2026, pas ndërmarrjes së veprimeve operative, është identifikuar dhe lokalizuar i dyshuari, shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në Gjilan.

Policia bën të ditur se i dyshuari, gjatë drejtimit të motoçikletës së tij, në disa raste kishte refuzuar të ndalonte me urdhër të zyrtarëve policorë, duke vënë në rrezik sigurinë e policëve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Po ashtu, sipas autoriteteve, gjatë procedurës për tërheqjen e motoçikletës, i dyshuari ka penguar zyrtarët policorë dhe personelin e autorizuar për bartjen e automjeteve në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.

“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e procedurave kundërvajtëse ndaj të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndaj të dyshuarit janë shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje nga fusha e Prishjes së Rendit dhe Qetësisë Publike, si dhe për shkelje të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Gjatë trajtimit të rastit, policia ka evidentuar gjithsej tetë kundërvajtje, për të cilat janë përpiluar fletëparaqitje për procedim në gjykatë. Po ashtu, është bërë sekuestrimi i përkohshëm i motoçikletës së përdorur nga i dyshuari.

Lënda do të procedohet në procedurë të rregullt pranë gjykatës kompetente.