Dyshohet për një kosovar të vdekur në plazhin e vogël të Ulqinit
Një rast i rëndë dyshohet se ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Plazhin e Vogël në Ulqin.
Sipas informacioneve të siguruara nga lexues të Klankosova.tv, një person i moshuar ka humbur jetën në bregdet. Ata pretendojnë se ngjarja ndodhi si pasojë e, sipas tyre, mungesës së ndihmës së parë në kohë.
Gjithnjë sipas dëshmitarëve, në vendin e ngjarjes ka qenë edhe policia e Malit të Zi, por ata pretendojnë se nuk ka pasur ndërhyrje.
“Pas rreth 30 minutash që i moshuari qëndroi në breg, erdhën zjarrfikësit, ia mbuluan kokën dhe e vendosën përballë hoteleve, aty ku kalojnë njerëzit. Trupi qëndroi aty për rreth një orë”, tha njëri nga dëshmitarët, i cili ka dërguar edhe një video në redaksinë e Klankosova.tv.
Deri më tani nuk ka detaje zyrtare lidhur me këtë rast, ndërsa as mediat malazeze nuk kanë raportuar ende për ngjarjen. .