Aktakuzë ndaj personit që sulmoi autobusin me kallashnikov në Pagarushë të Malishevës
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet S.M., nën dyshimin për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 11 qershor 2026, rreth orës 12:07, në fshatin Pagarushë të Komunës së Malishevë.
“Pas një mosmarrëveshjeje lidhur me linjën e autobusëve, i armatosur me një armë automatike të tipit AK-47, fillimisht ka bllokuar rrugën me traktorin e tij, e më pas ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të autobusit që drejtohej nga i dëmtuari V.S., ku pasagjerë ishin edhe të dëmtuarit F.K. dhe H.K.”, thuhet në aktakuzë transmeton Klankosova.tv
Sipas Prokurorisë, nga të shtënat janë goditur disa pjesë të autobusit, duke rrezikuar jetën e personave që ndodheshin në të.
“Nga të shtënat janë goditur disa pjesë të autobusit, duke rrezikuar jetën e të dëmtuarve. Megjithatë, fatmirësisht, asnjëri prej tyre nuk ka pësuar lëndime trupore”, thuhet më tej në njoftim.
Prokuroria bën të ditur se i pandehuri dyshohet se ka poseduar pa autorizim armën automatike AK-47, së bashku me karikatorin dhe municionin, me të cilën pretendohet se është kryer vepra penale.
“Arma dhe municioni janë sekuestruar në vendin e ngjarjes”, thekson Prokuroria.
Sipas aktakuzës, me këto veprime S.M. dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, ta shpallë fajtor të pandehurin dhe ta dënojë në përputhje me ligjin për veprat penale që i vihen në barrë.