Policia apelon për kujdes: Mos u bëni cak i vjedhjeve nga automjetet
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u bën thirrje të gjithë drejtuesve dhe shfrytëzuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë parkimit të automjeteve, si në parkingje publike, ashtu edhe në ato private.
Rastet e vjedhjeve nga automjetet ndodhin për shkak se në brendësi të tyre lihen sende me vlerë në vende të dukshme, duke u krijuar mundësi personave keqbërës të dëmtojnë automjetin dhe t’i përvetësojnë këto sende.
Me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla, Policia apelon që të mos lihen çanta, portofola, telefona celularë, laptopë, tabletë, dokumente personale apo sende të tjera me vlerë në vende të dukshme brenda automjetit.
Para largimit nga automjeti, qytetarët duhet të sigurohen se dyert janë të kyçura dhe dritaret janë të mbyllura plotësisht.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan fton qytetarët që, në rast se vërejnë persona ose veprime të dyshimta pranë automjeteve apo në parkingje, të njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës përmes numrit pa pagesë 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.