Tragjedi në Itali: Makina përplas motorin, humb jetën 33-vjeçari shqiptar
Një 33-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë rrugor me motor, që ndodhi mbrëmjen e së martës, në provincën e Pistoias, në Itali.
Viktima është Maksim Sinani, i cili nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda dhe vdiq gjatë natës në spital.
Sipas mediave italiane, Sinani po udhëtonte me motorin e tij në drejtim të Pistoias, së bashku me një grup motoristësh, kur u përplas ballë për ballë me një veturë që po vinte nga drejtimi i kundërt.
Përplasja ishte jashtëzakonisht e fortë dhe si pasojë e goditjes, 33-vjeçari u hodh rreth 50 metra larg vendit të aksidentit.
Ai pësoi dëmtime të shumta në trup dhe plagë të rënda në njërën këmbë, ndërsa motori i tij u shkatërrua plotësisht.
Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje. Gjatë ndërhyrjes së mjekëve, Maksim Sinani ishte ende i vetëdijshëm.
Ai u dërgua fillimisht me urgjencë në spitalin San Jacopo në Pistoia, ku u stabilizua dhe u intubua.
Më pas, rreth orës 23:00, ai u dërgua me helikopter në Qendrën e Traumës në Careggi për trajtim të specializuar.
Megjithatë, gjendja e tij u përkeqësua gjatë natës dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai vdiq si pasojë e plagëve të marra.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit./TCH