Përmirësohet situata nga zjarret në disa zona të Shqipërisë

Përmirësohet situata nga zjarret në disa zona të Shqipërisë

Kronika August 17, 2026 - 17:55

Shtatë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e vendit, ndërsa situata paraqitet në përmirësim në disa zona.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 14:00 të 17 gushtit janë regjistruar 12 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim.

Pavarësisht përhapjes së zjarreve në disa zona, autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara në vatrat kryesore ku po vijojnë operacionet.

Në malin e Dajtit, Tiranë, vijon puna e forcave operacionale, të mbështetura nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Vakumone, situata është nën kontroll dhe zjarri është izoluar, ndërsa zona e Priskës vijon të jetë në monitorim.

Një tjetër vatër aktive është ajo në Gurë-Lurë, në Dibër, ku në terren janë 180 forca bashkiake, 15 forca policore, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve ka ndihmuar në pengimin e përhapjes së flakëve drejt banesave. Edhe në këtë zonë, autoritetet raportojnë se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Qafë Helmës, zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon vetëm në drejtim të Selishtës, pa paraqitur rrezik për banesat.

Në Bruç të Matit, operacioni vijon në terren të vështirë, ndërsa edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Lufaj të Mirditës vijon puna e strukturave në terren. Dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, me 9 efektivë, janë pozicionuar pranë banesave në lagjen Caraj për të qenë në gatishmëri. Aktualisht, vatra nuk paraqet rrezik për banesat.

Në Fushë-Lajë të Pukës, operacioni po zhvillohet me 2 automjete zjarrfikëse, 9 efektivë të MZSH-së, 7 forca pyjore, 46 forca bashkiake, 16 vullnetarë dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se situata është përmirësuar në disa prej vatrave, ndërsa kapacitetet tokësore dhe ajrore mbeten të përqendruara në zonat ku zjarret vijojnë të jenë aktive.

Në terren janë angazhuar 467 forca operacionale dhe 34 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura po mbështesin operacionet me 120 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.