Mbi një vit burg gjakovarit që rrahu nënën e tij
Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj M.D., i cili është gjetur fajtor për tri vepra penale: “Dhunë në familje”, “Mospërfillje e gjykatës” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Pas shqyrtimit gjyqësor, gjyqtarja Blerina Kurtaj e ka shpallur fajtor M.D. dhe i ka shqiptuar dënim unik me një vit e 3 muaj burgim, si dhe 500 euro gjobë.
Në dënimin me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke filluar nga 17 shkurti 2026.
Sipas aktgjykimit, M.D. akuzohet se në shtëpinë e përbashkët në fshatin Novosellë e Epërme të Gjakovës, në kundërshtim me urdhrin për mbrojtje, kishte ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, R.D., e cila për shkak të moshës konsiderohet viktimë e ndjeshme.
Sipas gjykatës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me ushqimin, ai e kishte ofenduar dhe shqetësuar emocionalisht nënën e tij, duke hedhur dhe shkelur me këmbë gjërat ushqimore dhe duke tentuar ta kapte për ta goditur. Nga frika, e dëmtuara ishte mbyllur në dhomë dhe kishte njoftuar Policinë.
Pavarësisht urdhrit për mbrojtje, sipas aktgjykimit, i pandehuri kishte përsëritur veprimet e dhunshme ndaj saj.
Më 17 shkurt 2026, rreth orës 12:00, pas një konflikti tjetër, M.D. dyshohet se e kishte sulmuar sërish nënën e tij, duke e goditur me shuplaka dhe shtyrë, me ç’rast ajo kishte rënë mbi tavolinë dhe kishte lënduar dorën e majtë.
Kur e dëmtuara kishte kërkuar ndihmë për t’u ngritur, për shkak të moshës dhe problemeve me gjunjë, ai e kishte goditur me shkelm në trup. Më pas, sipas aktgjykimit, kishte marrë një hekur që përdoret për ndezjen e prushit dhe e kishte kanosur me fjalët: “Të ka ardhur momenti i fundit”.
Si pasojë, viktima kishte pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /Zëri