Nga një muaj paraburgim për tre të dyshuarit për fajde në Prizren
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar nga një muaj paraburgim për tre të pandehur, të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë fajdenë, sulmin ndaj personit zyrtar dhe rrezikimin e trafikut publik.
Masa e paraburgimit, e cila mund të zgjasë deri më 18 shtator 2026, është caktuar ndaj F.S., B.S. dhe A.D., pas kërkesës së Prokurorisë së Shtetit.
Sipas gjykatës, B.S. dhe A.D. dyshohet se në bashkëkryerje kanë kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare dhe personale të të dëmtuarit, transmeton Zeri.info.
Rasti është zbuluar më 18 gusht, kur dy të dyshuarit janë kapur në flagrancë duke pranuar para nga i dëmtuari, të cilat, sipas dyshimit, ishin dhënë në emër të kamatës.
Sipas dosjes së gjykatës, gjatë intervenimit policor, B.S. dyshohet se nuk është ndalur me automjet, por ka vazhduar me shpejtësi dhe ka goditur një zyrtar policor, duke i shkaktuar atij lëndime të lehta trupore.
Më pas, gjatë ikjes në drejtim të fshatit Vlashnje, dyshohet se për shkak të shpejtësisë së madhe ka goditur edhe një këmbësore, e cila ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Ndërkohë, F.S. dyshohet se që nga viti 2020, në Prizren, në vazhdimësi ka kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit, duke shfrytëzuar gjendjen financiare dhe personale të të dëmtuarit.
Gjykata ka vlerësuar provat materiale dhe shkresat e dorëzuara nga Prokuroria, si dhe pretendimet e palëve gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë.
Sipas arsyetimit të gjykatës, duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer ato, masa e paraburgimit është vlerësuar e nevojshme për të siguruar praninë e të pandehurve dhe mbarëvajtjen e papenguar të procedurës paraprake.
Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. /Zëri