Paguan 1,150 euro për bileta avioni, familja mbeti pa udhëtim – prangoset i dyshuari për mashtrim
Foto: Laura Hasani

Paguan 1,150 euro për bileta avioni, familja mbeti pa udhëtim – prangoset i dyshuari për mashtrim

Kronika August 20, 2026 - 19:57

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Mashtrimi i konsumatorëve”, pas një ankese të përcjellë nga Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Sipas njoftimit të PK-së, thuhet se rasti ka të bëjë me një kompani private që merret me shitjen e biletave të udhëtimit, raporton Zeri.info.

"Viktima, së bashku me familjen e tij, kishte blerë gjatë muajit korrik 2025 bileta avioni për linjën Hamburg–Prishtinë dhe anasjelltas, në vlerë prej 1,150 eurosh.Megjithatë, pavarësisht pagesës, familja nuk kishte mundur t’i realizonte fluturimet në asnjërin drejtim. Për pasojë, ata ishin detyruar të blinin bileta të tjera, duke shkaktuar një dëm shtesë prej 1,600 eurosh. Personi përgjegjës i kompanisë ishte intervistuar më 28 korrik 2026, ndërsa, në konsultim me prokurorin, i ishte dhënë mundësia për ta riparuar dëmin e shkaktuar", thuhet në njoftim.

Policia njofton se i dyshuari është intervistuar sërish sot, më 20 gusht 2026, në prani të avokatit mbrojtës.

"Meqë dëmi nuk ishte riparuar, pas përfundimit të intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ai dyshohet për veprën penale “Mashtrimi i konsumatorëve”, nga neni 292 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës", thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri