Dogana ndalon futjen e mbi 18 mijë eurove të padeklaruara në Kosovë
Dogana e Kosovës ka parandaluar futjen në vend të mjeteve monetare të padeklaruara në vlerë prej mbi 18 mijë eurosh, në Pikën e Kalimit Kufitar te Dheu i Bardhë.
Rasti ka ndodhur më 18 gusht 2026, gjatë kontrolleve të zakonshme të zyrtarëve doganorë, të cilët kanë zbuluar mjete monetare të padeklaruara dhe të fshehura.
Sipas Doganës së Kosovës, gjatë kontrollit janë gjetur 12 mijë e 570 euro dhe 5 mijë e 900 franga zvicerane, me kundërvlerë të përgjithshme prej 18 mijë e 841.74 eurosh, sipas kursit të këmbimit në ditën e kontrollit, transmeton Zeri.info.
Mjetet monetare janë ndaluar dhe evidentuar në përputhje me procedurat përkatëse, ndërsa rasti është iniciuar për trajtim të mëtejshëm nga njësitë kompetente të Doganës së Kosovës.
Dogana ka rikujtuar qytetarët se çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës është i obliguar të deklarojë mjetet monetare, instrumentet e negociueshme, si dhe metalet dhe gurët e çmuar, kur vlera e tyre arrin ose tejkalon 10 mijë euro.
Rasti do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi./Zëri