Arrestohet edhe i dyshuari i katërt për vjedhjen e rëndë në Leposaviq
Policia e Kosovës ka arrestuar edhe personin e katërt të dyshuar për rastin e “Vjedhjes së rëndë” në Leposaviq, ku nga një shtëpi ishin vjedhur 12 mijë euro, 40 mijë dinarë dhe dy zinxhirë ari.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari L.B., i mitur, është arrestuar në pikën kufitare Jarinjë, në hyrje të Republikës së Kosovës.
"Gjatë kontrollit, tek i dyshuari janë gjetur 5,750 euro dhe 2,000 dinarë, të cilat dyshohet se janë përfituar nga rasti i vjedhjes", thuhet në njoftim.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për vepra penale, ndërsa qytetarët janë ftuar që rastet e dyshimta t’i raportojnë në numrin 192.