Në Tiranë, kapen mbi 5.2 kg heroinë dhe kokainë
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Drejtimi”, duke parandaluar një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa ka arrestuar në flagrancë dy persona dhe ka sekuestruar mbi 5.2 kilogramë heroinë dhe kokainë.
Drejtori i DVP Tiranë, Oliger Torba, bëri të ditur se në pranga janë vënë Mirand Herri, 51 vjeç, banues në Maminas, Durrës, dhe Luftim Hoxha, 41 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Maminas.
Sipas Policisë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve kishte siguruar informacione operative se dy personat do të transportonin një sasi të konsiderueshme droge në zonën e “Treshit”, në afërsi të Nishtulla 3, në drejtim të Durrësit.
Operacioni u finalizua në rrugën “Kastriotët”, ku shërbimet policore ndaluan automjetin tip “Mercedes-Benz” me dy të dyshuarit.
Gjatë kontrollit në automjet u gjet një çantë me shtatë pako me lëndë të dyshuar narkotike. Policia sekuestroi katër pako me heroinë, me peshë 2 kilogramë e 123.6 gramë, dhe tre pako me lëndë të dyshuar kokainë, me peshë 3 kilogramë e 120.6 gramë.
Në total, sasia e sekuestruar ishte 5 kilogramë e 244.2 gramë lëndë narkotike.
Dy personat u shoqëruan në DVP Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Në konferencën për mediet, Torba foli edhe për parandalimin e një konflikti mes rreth 28 të miturve, të moshave 13 deri në 17 vjeç, të cilët dyshohej se do të përfshiheshin në një përplasje me mjete të ftohta.
Sipas tij, pas marrjes së informacionit në kohë, strukturat e Komisariatit nr. 6, Forcat Operacionale, “Shqiponjat” dhe strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik zhvilluan rreth 72 orë verifikime në rrjetet sociale dhe në terren, duke bërë të mundur parandalimin e ngjarjes.
Drejtori i Policisë së Tiranës u bëri apel prindërve të bashkëpunojnë me strukturat policore dhe të raportojnë në kohë çdo rast të dyshimtë që lidhet me fëmijët, për të parandaluar ngjarje që mund të rrezikojnë jetën e tyre.
Policia e Tiranës ftoi qytetarët të denoncojnë rastet e paligjshmërisë pranë strukturave policore.