Nxënësja në Prizren gjen kuletë me para dhe dokumente, e dorëzon në Polici

Nxënësja në Prizren gjen kuletë me para dhe dokumente, e dorëzon në Polici

Kronika August 27, 2026 - 14:43

Një nxënëse nga Prizreni ka treguar shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, pasi ka gjetur një kuletë me para dhe dokumente personale dhe e ka dorëzuar në Polici.

Policia e Kosovës njoftoi se rasti ka ndodhur më 25 gusht 2026, rreth orës 20:45, kur në Stacionin Policor të Trafikut në Prizren është dorëzuar një kuletë e humbur.

Kuleta ishte gjetur në rrugën “Ekrem Rexha” nga nxënësja O.T., e lindur në vitin 2011, e cila, së bashku me prindin e saj, e kishte dërguar menjëherë në stacionin policor, transmeton Zeri.info.

Në kuletë kishte të holla dhe dokumente personale. Përmes dokumenteve identifikuese, policia arriti të kontaktonte pronarin, i cili u paraqit në stacion dhe e mori kuletën.

Pronari falënderoi nxënësen për aktin e saj të ndershëm, si dhe Policinë e Kosovës për angazhimin në gjetjen dhe kthimin e sendeve të humbura.

Policia e ka cilësuar rastin si shembull të përgjegjësisë qytetare dhe bashkëpunimit të mirë mes qytetarëve dhe institucioneve, duke theksuar se ndershmëria dhe solidariteti kontribuojnë në forcimin e besimit dhe sigurisë në komunitet. /Zëri