Tre të arrestuar për zjarrvënie në Fier dhe Lushnjë

Tre të arrestuar për zjarrvënie në Fier dhe Lushnjë

Kronika October 01, 2026 - 14:25

Tre persona janë arrestuar nga Policia, pasi dyshohet se kanë shkaktuar zjarre në Fier dhe Lushnjë, duke rrezikuar banesa, toka bujqësore dhe prona private.

Në Fier, u arrestua një 31-vjeçar, banues në fshatin Pojan, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij.

Për shkak të erës, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar banesa dhe sipërfaqe të mëdha toke pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë, shkruan abcnews.al.

Ndërkohë, në Lushnjë janë arrestuar dy persona. Sipas policisë, një 55-vjeçar, banues në Lushnjë, dyshohet se ka ndezur zjarr në servisin e tij.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur pjesë automjetesh dhe pemë ulliri në pronën e një shtetasi tjetër.

Personi i dytë i arrestuar në Lushnjës është një 49-vjeçar, banues në fshatin Golem, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij për të djegur mbeturina.

Flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër dhe kanale vaditëse, ndërsa janë rrezikuar edhe disa sera në afërsi.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të Policisë dhe zjarrfikësve, zjarret janë shuar dhe është shmangur përhapja e mëtejshme e flakëve, pa shkaktuar dëme në banesa ose te banorët.