20 zyrtarë policorë të lënduar, tre protestues të arrestuar nga protesta e mbrëmshme
Foto: Laura Hasani

20 zyrtarë policorë të lënduar, tre protestues të arrestuar nga protesta e mbrëmshme

Kronika October 06, 2026 - 10:59

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për protestën e paralajmëruar për sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Policia ka bërë të ditur se, bazuar në zhvillimet e protestës së mbrëmshme, gjatë së cilës disa protestues kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta ndaj objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë, është detyruar të përdorë sprej, gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës, transmeton Zeri.info.

Sipas Policisë, gjatë protestës së mbrëmshme janë arrestuar tre persona. Dy prej tyre, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt.

“Si pasojë e zhvillimeve dhe sulmeve me mjete të ndryshme, njëzet (20) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.

Ndihmë mjekësore, sipas Policisë, kanë kërkuar edhe 12 qytetarë/protestues dhe një gazetar, të cilët po ashtu kanë marrë trajtim mjekësor.

Policia ka thënë se pas çdo operacioni kryen vlerësime pasoperacionale dhe, në rast të dyshimeve për tejkalim të autorizimeve policore, ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

Sa i përket protestës së sotme, Policia ka paralajmëruar se, varësisht nga nevojat operative dhe zhvillimet në terren, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët përreth sheshit “Skënderbeu”.

Institucioni policor u ka bërë thirrje protestuesve që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë.

“Policia e Kosovës me zyrtarët e saj do të jetë e pranishme në terren, për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë publike, sigurinë e qytetarëve, lirinë e lëvizjes dhe mbarëvajtjen e protestës”, thuhet në njoftim. /Zëri