Kërkohet paraburgim për drejtorin e Spitalit të Mitrovicës, i arrestuar për dhunë në familje

Kërkohet paraburgim për drejtorin e Spitalit të Mitrovicës, i arrestuar për dhunë në familje

Kronika November 02, 2026 - 10:33

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, i arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje.

Berisha dyshohet se ka kërcënuar bashkëshorten se do t’i ndodhë e njëjta sikurse Arlinda Zekajt.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se është paraqitur kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj Berishës.

“Prokurori i çështjes pranë gjykatës kompetente ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”, tha Shala.

Zëdhënësja shtoi se Prokurori i Shtetit po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

Policia kishte konfirmuar të shtunën se bashkëshortja e Berishës ka raportuar për dhunë të vazhdueshme psikike, ndërsa çifti nuk jeton së bashku prej disa muajsh.

Pas arrestimit të Berishës, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi se do të procedojë me suspendimin e Gëzim Berisha, pas konfirmimit zyrtar nga organet e rendit dhe drejtësisë për ndalimin e tij. Aty u tha se masa e suspendimit do të ndërmerret në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 nga i dyshuari ish-kunati i saj Albert Sylaj, pasi kishte raportuar ish-bashkëshortin Jeton Sylaj për dhunë në familje.