Përfundon rrugëtimi treditor i festivaleve të letërsisë

Përfundon rrugëtimi treditor i festivaleve të letërsisë

Kultura May 13, 2019 - 10:32
Lexo më shumë detaje
Image

Modelariumi i Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë e hapësirat e qendrës “Multimedia” kanë mirëpritur artistët dhe adhuruesit e letërsisë fundjavën që kaloi. Shumë letrarë kanë shkëmbyer me publikun e gjerë pjesë të veprave të tyre.

Në tingujt e kitarës dhe zërin e Ilija Ludvigut, artistit nga Serbia, kanë nisur rrugëtimin treditor të aktiviteteve artistike të dyja festivalet ndërkombëtare të letërsisë “GranFest” dhe “Polip”.

Ashtu si edhe është njoftuar, “GranFest-i”, filloi me risi të përkthimit të një novele grafike dhe me ekspozitat e mysafirëve të cilat ishin të prezantuar në ballë të ambientit ku u mbajtën festivalet, duke u prezantuar stile të ndryshme të një spektri të gjerë të krijimtarisë. Siç u tha nga organizatori Gani Jakupi, interesi ka qenë që publikut kosovar t’i tregohet se ka mundësi të ndryshme të shprehjes në larminë e romanit grafik.

Në hapjen e “GranFest”-it ai theksoi se festivali në fjalë është bërë për publikun dhe është publiku ai që e vlerëson nëse do të vazhdojnë edicionet tjera ose jo. Ai tha se qëllimi kryesor ka qenë të përkthehen më shumë vepra të autorëve të romaneve grafike.

Në hapje të “GranFest”-it drejtori i përgjithshëm i këtij festivali, Agron Bajrami, ka thënë se kjo ngjarje si ide ka ekzistuar vite më parë dhe qyshkur ka qenë fëmijë kur kanë lexuar romanet grafike e kanë menduar këtë ditë. “Si fëmijë kur kemi lexuar romanet grafike e kemi menduar këtë ditë. I gjithë ky organizim nuk do të ishte i mundur pa artistët pjesëmarrës”, tha Bajrami për të pranishmit.

Në një fjalë të tijën ambasadori i Francës në Kosovë Didier Chabert tha se për të është vërtet kënaqësi që është i pranishëm në festivalin e parë të këtij zhanri në Kosovë. Ai falënderoi gjithë artistët pjesëmarrës dhe tha se “ky organizim tregon se Kosova është pjesë e skenës botërore të artit”. “Me ngjarje të tilla dimensioni kulturor i shtetit më të ri të Evropës rritet. Ngjarjet kulturore si ‘GranFest’-i së bashku me artistët pjesëmarrës trajtojnë shumë probleme. Ekspozita është një mesazh artistik”, ka thënë ambasadori francez, Chabert.

Dave McKean nga Britania e Madhe, autor i disa romaneve grafike, për të pranishmit u shpreh i kënaqur që i është ofruar mundësia të japë kontributin e tij në edicionin e parë të festivalit të romanit grafik në Kosovë. McKean kishte sjellë edhe disa ilustrime të veprave të tija dhe sipas tij diversiteti i ngjarjeve kulturore në një vend si Kosova është pasuri artistike.

Edicioni i nëntë festivalin “Polip” e gjeti pa përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, por me përkrahjen e publikut. Ky festival nisi me leximet e veprave të shkrimtarëve, të cilat u pasuan po ashtu me debate rreth fuqisë se sa ndikon letërsia në shoqëri.

Sasa Illiq, shkrimtar nga Serbia, së bashku me Jeton Neziraj kanë ironizuar mjaftueshëm me ngjarjet që i kanë kapluar së fundi këto dy shtete, pra Kosovën dhe Serbinë. Illiq në përshëndetjen e tij, në dorë mbante edhe famëplotat “Pllazmat e Serbisë”, të cilat ia kishte ofruar për shërbim edhe Nezirajt. Illiq po ashtu ironizoi edhe me vënien e taksës nga Qeveria e Kosovës për Serbinë. Kurse Neziraj për të paraqitur gjendjen aktuale se si qëndron puna në Serbi e që nuk është hiç më mirë se në Kosovë, ai dha shembullin se si duhet të dhurojë gjak një qytetar në Serbi për të marrë ditë të lira pushimi.

Për ta drejtuar festivalin te fokusi tematik që ishte “Ujdia letrare”, nata ka vazhduar me lexime të veprave të autorëve të ndryshëm. Në natën e parë të festivalit “Polip” kanë lexuar Besnik Mustafaj nga Shqipëria, Lindita Ahmeti nga Maqedonia e Veriut, serbo-zvicerani Sreten Ugriciq, Tom Kaczynski, Sarah Hehir, Olga Grjasnowa. Duke vazhduar me panelin tjetër “Ujdia letrare - rruga revolucionare”, me Veton Surroin, Sreten Ugricic dhe Sasa Illiq. Në panelin e tretë në kuadër të “GranFest”-it u fol për temën “Informata kreative kundër asaj manipulative”, me të ftuarit Fumio Obata, Dave McKean, Sarah Hehir, Ville Ranta, Tom Kaczynski, Marcello Quintanilha dhe Gani Jakupin. Paneli i fundit “Paralelni polis - një koncept disident që e ndjek të tashmen”, u mbajt ditën e diel dhe diskutuan: Alida Bremer, Lena Dorn, Marek Shindellka, Shkëlzen Maliqi dhe Mateo Colombin.

Debatet u zhvilluan në gjuhë të ndryshme, në anglisht, në spanjisht e në frëngjisht, ku kanë folur autorë të romaneve grafike në kuadër të “GranFest”-it, kurse në serbisht, në shqip e në anglisht diskutuan autorët që ishin të ftuar në “Polip”.

Festivalet filluan paralelisht të premten, më 10 maj dhe vazhduan deri të dielën, më datën 12 maj.

Image