Akademia Verore Muzikore Evropiane vjen në Kosovë
Edicioni i 8-të i akademisë verore muzikore evropiane “Esma 2019” zhvillohet sërish në Kosovë me kurse instrumentale, të muzikës së dhomës dhe ngjarje të ndryshme artistike, të cilat do të zhvillohen në qytetin e Prishtinës, të Pejës dhe të Gjakovës nga data 22 gusht deri më 1 shtator 2019, shkruan sot gazeta "Zëri".
“Esma 2019” sezonin e ka filluar në qytetin e Mitrovicës dhe në mesin e korrikut përfundoi kurset për kitarë, ansambël kitarash dhe u zhvilluan disa koncerte e ngjarje të tjera artistike. Muzikantëve të rinj (nga mosha 13 deri 27 vjeç) nga vendet e Evropës Juglindore dhe më gjerë u ofrohet mundësia të marrin mësime, njohuri, këshilla dhe demonstrime të ndryshme në instrumentet përkatëse nga profesorë të njohur evropianë dhe po ashtu të takohen e të ndajnë përvoja muzikore jetësore me kolegë të tyre nga vende të ndryshme evropiane.
Edicioni i 8-të i akademisë muzikore evropiane verore “Esma 2019” ofron këto kurse instrumentale në Gjakovë - piano, violë, violonçel, kompozicion si dhe dirigjim orkestral e teatër muzikor. Në Pejë ofrohen kurs për flaut, klarinetë, trombë dhe në Prishtinë kurse në solokëndim dhe teatër muzikor.
Mësohet se pjesëmarrësit në “Esma 2019” kanë mundësinë të marrin gjithashtu pjesë në disa kurse të muzikës së dhomës me piano, si dhe me instrumentet harkore e frymore. Si në të kaluarën, edhe këtë vit “Esma 2019” është e përkrahur nga disa ambasada evropiane në Kosovë, Komuna e Mitrovicës, Komuna e Pejës, Komuna e Gjakovës, klubi rotarian Aachen – Land (Gjermani) dhe klube tjera rotariane të rajonit të Aachen-it, si dhe institucione e mbështetës të tjerë lokalë e ndërkombëtarë. “Esma 2019” udhëhiqet nga drejtori ekzekutiv dhe artistik i saj, Desar Sulejmani, në bashkëpunim me organizatat lokale “Artium Eudora – ArtEU” (Prishtinë, Pejë, Gjakovë) dhe “Kosova Ars” (Mitrovicë). Zëri