Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve
Foto: Laura Hasani

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve

Kultura November 20, 2026 - 08:26

Më 20 nëntor të vitit 1989 liderë nga e gjithë bota u bashkuan për të marrë një zotim të përbashkët: mbrojtjen e të drejtave të çdo fëmije dhe garantimin e një jete të sigurt, të lumtur dhe dinjitoze për ta.

Sipas BBC-së, në këtë datë u miratua një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht e detyrueshme, e njohur si Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës (UNCRC).

Kjo konventë përcakton se çdo fëmijë ka të drejta të barabarta, pavarësisht përkatësisë etnike, gjinisë, fesë, gjuhës apo aftësive të tij. Deri më sot, 196 shtete janë bërë pjesë e kësaj konvente, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Indinë dhe Kanadanë, transmeton klankosova.tv.

Si nisi historia e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve?

Ideja që fëmijët duhet të gëzojnë mbrojtje të veçantë nisi të diskutohej që në mesin e shekullit XIX.

Në vitin 1923, themeluesja e organizatës humanitare Save the Children, Eglantyne Jebb, hartoi deklaratën e parë ndërkombëtare mbi të drejtat e fëmijëve.

Në vitin 1948, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut njohu nevojën për kujdes dhe mbrojtje të veçantë për nënat dhe fëmijët.

Një vit më pas, në vitin 1959, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën për të Drejtat e Fëmijës.

Ndërsa më 20 nëntor 1989, u miratua Konventa për të Drejtat e Fëmijës, e cila hyri në fuqi në shtator të vitit 1990.

20 Nëntori është një kujtesë se çdo fëmijë meriton të rritet i mbrojtur, i respektuar, i arsimuar dhe me mundësi të barabarta për një të ardhme më të mirë.