Salloni që ndryshoi përgjithmonë artin modern

Salloni që ndryshoi përgjithmonë artin modern

Kultura April 14, 2026 - 16:03

Në fillim të shekullit XX, në një apartament në “27 Rue de Fleurus”, në Paris, Gertrude Stein dhe Alice B. Toklas krijuan një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të kohës, një sallon që do të formësonte rrënjësisht artin modern.

Çdo të shtunë në mbrëmje, dera e këtij apartamenti hapej për një brez artistësh dhe shkrimtarësh që ende nuk i njihte bota. Mes tyre ishin Pablo Picasso, Henri Matisse, Georges Braque, Francis Picabia, Ernest Hemingway dhe F. Scott Fitzgerald, emra që më vonë do të përcaktonin historinë e artit të shekullit XX.

Muret e shtëpisë së Stein ishin të mbuluara tërësisht nga piktura revolucionare, ndërsa bisedat që zhvilloheshin aty ndihmuan në lindjen e një gjuhe të re artistike.

Nga momenti kur u vendos në Paris në vitin 1903 deri në vdekjen e saj në 1946, Stein u bë një figurë qendrore e botës artistike pariziene. Si një mbështetëse e vendosur e avangardës, ajo ndihmoi në formësimin e një lëvizjeje që kërkonte forma të reja shprehjeje dhe një shkëputje të vetëdijshme nga tradita.

Stein nuk ishte thjesht një koleksioniste. Ajo ishte një nga të parat që njohu gjeninë e artistëve si Picasso, Mattise, Juan Gris, duke investuar tek ata shumë kohë përpara se të pranoheshin nga institucionet tradicionale.

Stein zhvilloi një marrëdhënie të ngushtë me Picasso që nga viti 1905. Portreti i saj i vitit 1906 nga Picasso mbetet një nga veprat më ikonike të periudhës proto-kubiste.

Ajo vazhdoi të mbështesë artistët kubistë, duke blerë vepra, duke shkruar për ta dhe duke i promovuar. Koleksioni i saj u bë një nga më të rëndësishmit për zhvillimin e kësaj rryme.

Ajo që këta artistë realizuan në artet pamore, Stein u përpoq ta arrinte në letërsi. Stein hodhi poshtë stilin linear të shekullit XIX dhe eksperimentoi me një formë të re shkrimi, më të fragmentuar, më të përqendruar te procesi dhe përjetimi sesa te rrëfimi tradicional.

Rezultati ishin tekste të dendura, shpesh pa subjekt apo dialog, por që sollën shprehje ikonike si: “Rose is a rose is a rose.”

Gjatë viteve mes Luftës së parë dhe Luftës së dytë botërore, një rrjedhë e vazhdueshme shkrimtarësh amerikanë dhe anglezë, të vendosur jashtë vendit, gjenin rrugën drejt mbrëmjeve të saj letrare. Gertrude Stein i quajti ata “Lost Generation”.

Ndër ta ishin Ernest Hemingway, F. Scott Fitzgerald dhe Sherwood Anderson, të cilët u ekspozuan ndaj kërkimit të saj letrar për atë që ajo e quante “një përshkrim i saktë i realitetit të brendshëm dhe të jashtëm”.

Nëse ndikoi dhe sa ndikoi Stein te këta dhe te shkrimtarë të tjerë të mëdhenj modernë – përfshirë James Joyce, vepra madhore e të cilit Ulysses u shkrua pas kontaktit me të mbetet një çështje e debatueshme.Megjithatë, kritikët bien dakord për një gjë: pavarësisht ndikimit të saj, vetë vepra e Stein, veçanërisht shkrimi i saj eksperimental, mbetet kryesisht i anashkaluar.

Edhe pse shkrimet e saj eksperimentale nuk u vlerësuan plotësisht gjatë jetës, ndikimi i Stein mbetet i madh. Arkivat e saj ruhen sot në Yale University Library.

Pas vdekjes së saj, koleksioni i artit u shpërnda dhe një pjesë e rëndësishme përfundoi në Museum of Modern Art në Nju Jork. /oranews

Image