Organizohet edicioni i 17-të i “Javës së Albanologjisë”
Instituti Albanologjik i Prishtinës organizon edicionin e shtatëmbëdhjetë të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, e cila do të mbahet nga data 18 deri më 25 maj.
Siç njofton Adil Olluri, sekretar shkencor i Institutit Albanologjik, ky aktivitet nis të hënën, më 18.05.2026, në ora 10:00 dhe përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme shkencore të institucionit.
Sipas organizatorëve, konferenca po rritet nga viti në vit dhe po shndërrohet në një platformë të rëndësishme të diskutimit shkencor mbi çështjet që lidhen me studimet shqiptare.
“Java e Albanologjisë” përbëhet nga pesë sesione tematike, të cilat do të zhvillohen gjatë ditëve të konferencës: Sesioni i Gjuhësisë – “Shqipja në rrethanat e sotme digjitale”, më 18.05.2026; Sesioni i Letërsisë – “Letërsia shqipe dhe konteksti”, më 19.05.2026; Sesioni i Historisë – “Historiografia shqiptare përballë historiografisë evropiane”, më 20.05.2026; Sesioni i Folklorit dhe Etnomuzikologjisë – “Trashëgimia kulturore si kujtesë: këngët, rrëfimet, fotografitë”, më 21.05.2026; Sesioni i Etnologjisë – “Antropologjia e ushqimit në kontekstin shqiptar: vazhdimësi dhe ndryshim”, më 22.05.2026.
Organizatorët ftojnë gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave që të përcjellin këtë konferencë shkencore, e cila konsiderohet një dritare e rëndësishme e mendimit dhe debatit akademik mbi shqiptarët dhe studimet albanologjike.