“Turisti per Caso”: Shqipëria mes së shkuarës dhe së ardhmes, një udhëtim që zbulon transformimin e vendit
Një turist italian, i cili e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në vitin 2012, dhe u rikthye sërish në vitin 2026, e përshkruan vendin si një nga destinacionet më të lashta të Evropës, që po përjeton një transformim të shpejtë drejt së ardhmes, sipas medias italiane “Turisti per Caso”.
Në rrëfimin e tij, ai kujton se gjatë vizitës së parë, Shqipëria shihej ende me paragjykime nga shumë turistë evropianë, ndërsa infrastruktura turistike dhe rrugore ishte në zhvillim e sipër.
Megjithatë, ai thekson se mikpritja e shqiptarëve, peizazhet e paprekura dhe ndjenja e sigurisë gjatë udhëtimit lanë një përshtypje pozitive.
Pas vizitave në Ksamil, Butrint, Sarandë, Himarë, Vlorë, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër, ai vëren se Shqipëria e asaj kohe, ndodhej në një fazë tranzicioni ekonomik e politik, me paga të ulëta dhe sfida të shumta zhvillimi.
Rikthimi në vend pas disa vitesh i zbuloi një realitet ndryshe.
Tirana, sipas tij, është transformuar ndjeshëm, me ndërtesa moderne, qendra tregtare dhe një zhvillim urban që e ka kthyer kryeqytetin në një destinacion tërheqës për turistët.
Ai veçon sheshin “Skënderbej”, i cili sot është më i gjallë dhe më i frekuentuar se më parë.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës iu kushtua njohjes me të kaluarën komuniste të vendit.
Ai thekson se ndryshimi midis vizitës së tij parë dhe asaj të dytë është i dukshëm jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në mënyrën se si vendi është hapur ndaj turizmit ndërkombëtar dhe investimeve të huaja.
Sipas tij, Shqipëria e sotme po fiton gjithnjë e më shumë, një identitet të qartë turistik mesdhetar, duke u bërë një alternativë serioze ndaj destinacioneve tradicionale të rajonit.
Ai thekson se rrugët, shërbimet dhe struktura turistike janë përmirësuar ndjeshëm, duke e bërë udhëtimin më të lehtë dhe më të sigurt krahasuar me një dekadë më parë.
Në Tiranë ai vizitoi muzeun Bunk’Art 2, ku prezantohet historia e diktaturës së Enver Hoxhës dhe veprimtaria e ish-Sigurimit të Shtetit.
Sipas tij, rrjeti i muzeve dhe vendeve të kujtesës në Shqipëri, përbën një përpjekje serioze, për t’u përballur me të kaluarën dhe për të ruajtur kujtesën historike.
Në Tiranë, transformimi urban përshkruhet si një kombinim mes modernitetit dhe trashëgimisë historike, ku bashkëjetojnë ndërtesat e reja dhe monumentet e periudhave të ndryshme.
Gjithashtu, ai nënvizon se ky zhvillim i shpejtë sjell edhe sfida të reja, veçanërisht në ruajtjen e identitetit kulturor dhe balancimin e urbanizimit me jetën tradicionale.
Sipas tij, muzetë e lidhura me periudhën komuniste nuk janë vetëm atraksione turistike, por edhe një mjet edukimi për brezat e rinj mbi të kaluarën e vendit.
Në vlerësimin e tij, Shqipëria po kalon nga një fazë tranzicioni në një fazë konsolidimi, ku stabiliteti ekonomik dhe politik po bëhen më të dukshëm.
Ai vlerëson se ky proces zhvillimi kërkon kohë, por është i qëndrueshëm dhe i orientuar drejt integrimit të plotë evropian.
Në analizën e tij, turisti italian ndalet edhe te koncepti i “Besës”, të cilin e konsideron një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit shqiptar.
Ai e përshkruan atë si një kod nderi dhe besnikërie, që ka ndihmuar shqiptarët të ruajnë traditën e mikpritjes dhe solidaritetit ndër breza.
Gjatë udhëtimit dyditor, ai vizitoi gjithashtu qytetin e lashtë të Shkodrës, bregdetin e Durrësit dhe qytetin historik të Krujës, ku ndodhet Kalaja e Krujës dhe muzeu kushtuar heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ai shprehet optimist për të ardhmen e Shqipërisë, duke vlerësuar progresin ekonomik, përpjekjet për integrimin evropian dhe ruajtjen e vlerave tradicionale.
Sipas tij, Shqipëria ka potencial të rëndësishëm për të kontribuar në zhvillimin e Evropës, jo vetëm përmes ekonomisë dhe burimeve natyrore, por edhe përmes trashëgimisë së saj kulturore dhe njerëzore.
“Shqipëria meriton besim dhe respekt. Është një vend që po ndërton të ardhmen pa harruar historinë e tij”, tha ai./atsh