Kalaja e Prezës, aty ku historia dhe natyra shkrihen në peizazhe çlodhëse

Kalaja e Prezës, aty ku historia dhe natyra shkrihen në peizazhe çlodhëse

Kultura July 05, 2026 - 10:55

Vetëm pak kilometra larg Tiranës, mbi një kodër të gjelbër ngrihet kalaja e Prezës. Kjo kala është një nga pikat më të veçanta historike dhe panoramike të zonës, një vend ku historia dhe peizazhi bashkohen në mënyrë të natyrshme.

E ndërtuar në një pozicion strategjik, rruga drejt kalasë kalon përmes një peizazhi rural, ku shtëpitë tradicionale dhe gjelbërimi i kodrave krijojnë një atmosferë të qetë.

Kur arrin në majë, muret e vjetra të kalasë, edhe pse të dëmtuara nga koha, janë dëshmi e forcës dhe rëndësisë që kjo kala ka pasur në të kaluarën.

Kalaja e Prezës nuk është vetëm një monument historik, por edhe një destinacion i preferuar për turistët që kërkojnë pamje të bukura dhe një lidhje të drejtpërdrejtë me historinë shqiptare. Turistët vendas, por edhe vizitorët e huaj dhe dashamirësit e natyrës e vizitojnë shpesh këtë vend për të kapur perëndimet me nuancat e arta.

Krahas kalasë, aty është edhe xhamia, si një objekt kulti ku shumë prej banorëve të zonës vazhdojnë të kryejnë ritet fetare.

Vizitorët kanë mundësi edhe të provojnë gatimet tradicionale në restorant, ndërsa shumë të tjerë shfrytëzojnë mjediset e bukura të zonës për piknik, lojë me top, apo edhe për të pushuar në natyrë.

Sot, kjo kala qëndron si një kujtesë e gjallë e së kaluarës, por edhe si një pikë e qetë pushimi për ata që duan të largohen për pak çaste nga ritmi i shpejtë i jetës moderne./atsh