Bogujevci: Investimi në Galerinë Kombëtare do t’i shërbejë artit dhe publikut për dekada
Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se Galeria Kombëtare e Kosovës është rihapur pas përfundimit të restaurimit të plotë dhe zgjerimit të hapësirave, duke e cilësuar këtë si fillimin e një kapitulli të ri për institucionin qendror të artit pamor në vend.
Sipas Bogujevcit, investimi ka krijuar kushte bashkëkohore për ekspozimin e veprave, ruajtjen e koleksionit shtetëror dhe zhvillimin e programeve artistike, duke e bërë Galerinë më funksionale dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes.
“Pas restaurimit të plotë dhe zgjerimit të hapësirave, institucioni qendror i artit pamor në vend nis një kapitull të ri. Me kushte bashkëkohore për ekspozim, ruajtjen e koleksionit shtetëror dhe zhvillimin e programeve artistike, Galeria rikthehet më e madhe, më funksionale dhe e gatshme për të ardhmen”, ka shkruar ministrja.
Ajo theksoi se ky është një investim afatgjatë që do t’i shërbejë jo vetëm artistëve dhe profesionistëve të fushës, por edhe publikut, duke forcuar rolin e Galerisë Kombëtare si institucioni kryesor për promovimin dhe zhvillimin e artit pamor në Kosovë.
Rihapja e Galerisë Kombëtare shënon një moment të rëndësishëm për skenën artistike të vendit, pasi institucioni rikthehet me infrastrukturë të modernizuar dhe me kapacitete të zgjeruara për organizimin e ekspozitave, ruajtjen e fondit shtetëror të artit dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore. /kultplus