Marigona Bekteshi Ferati përzgjidhet studiuese në bibliotekën prestigjioze gjermane

Marigona Bekteshi Ferati përzgjidhet studiuese në bibliotekën prestigjioze gjermane

Kultura July 17, 2026 - 11:55

Studiuesja dhe profesoresha kosovare e artit dhe teatrit, Marigona Bekteshi Ferati, është përzgjedhur si “guest researcher” në një nga bibliotekat më prestigjioze kërkimore në Gjermani, ku për gjashtë deri në nëntë muaj do të zhvillojë një projekt shkencor mbi historinë e teatrit dhe marrëdhëniet kulturore ndërmjet Ballkanit dhe Evropës.

Bekteshi Ferati tha se përzgjedhja është rezultat i një procesi konkurrues ndërkombëtar me kritere të rrepta akademike, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi të madhe, por edhe një mundësi për ta përfaqësuar Kosovën.

“Mbasi jemi edhe një vend i vogël si Kosovë, një vend që kemi dalë prej izolimit, mbase dëshira për me eksploru hala më shumë është edhe më e madhe. Sidomos kur je në moshë të re, gjithmonë e ke dëshirën dhe pasionin me pa, me hulumtu e me sjellë diçka të re”, u shpreh ajo.

Ajo bëri të ditur se hulumtimi do të fokusohet në periudhën nga shekulli XVI deri në shekullin XVIII, duke trajtuar lidhjet ndërmjet teatrit, Perandorisë Osmane dhe Evropës, si dhe zhvillimin e kulturës dhe diplomacisë kulturore në rajon.

Sipas saj, studiuesit nga Kosova duhet të vazhdojnë të depërtojnë në institucione prestigjioze ndërkombëtare, pasi kjo krijon mundësi edhe për brezat që vijnë.

“Kur shkon diku dhe e lë Kosovën si referencë, pasardhësit e kanë shumë më të lehtë me depërtu. Më kontaktojnë shpesh studiues e studentë dhe e kuptojnë që kjo është e arritshme, mjafton të kesh pasionin, vullnetin dhe dëshirën për të studiuar”, tha Bekteshi Ferati.

Ajo shtoi se qasja në dorëshkrime dhe materiale origjinale të bibliotekës do t’i mundësojë të sjellë njohuri të reja shkencore për historinë e teatrit dhe marrëdhëniet kulturore në Evropë.

“Është privilegj dhe nder me pas qasje në këto shkrime origjinale. Ambicia ime është të gjej materiale që do t’i sjellin botës diçka të re nga një periudhë qindravjeçare”, u shpreh ajo.

Bekteshi Ferati theksoi se studimi do të mbetet pjesë e arkivit të bibliotekës, ndërsa autorësia do t’i takojë asaj, duke shtuar se më pas ai mund të botohet në revista shkencore dhe në formë libri.

Në fund, ajo tha se puna shkencore është edhe një mision për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Është një përmbushje personale, por edhe kombëtare. Ne si të rinj të Kosovës duhet t’i përgjigjemi botës me punë shkencore, me art dhe me të vërtetën tonë historike. Vetëm kështu e çojmë shtetin tonë përpara”, përfundoi Bekteshi Ferati. /rtk