Një dokumentar i BBC-së zbulon autorësinë e një pikture të humbur prej shekujsh

Një dokumentar i BBC-së zbulon autorësinë e një pikture të humbur prej shekujsh

Kultura July 28, 2026 - 10:24

Një episod i dokumentarit të njohur të BBC One, “Fake or Fortune?”, ka konfirmuar se një pikturë që prej vitesh nuk kishte autor të identifikuar është vepër e artistes skoceze të shekullit XVIII, Katherine Read, duke rikthyer në vëmendje një emër të rëndësishëm, por të harruar të historisë së artit.

Piktura i përket Mary-Louise Wedderburn, një kontabiliste në pension, e cila e trashëgoi veprën nga xhaxhai i saj rreth 20 vjet më parë. Ajo e paraqiti portretin, të vendosur në një kornizë të artë, në emision me dyshimin se mund të ishte krijuar nga Katherine Read, e cila rezulton të ketë qenë një e afërme e largët e familjes së saj.

Vepra paraqet portretin e një gruaje të re indiane, e stolisur me disa vargje perlash dhe një varëse të madhe smeraldi. Pas analizave dhe hulumtimeve të ekspertëve, u konfirmua se autorja e saj është Katherine Read. Sipas vlerësimeve, piktura mund të arrijë një vlerë prej rreth 130 mijë dollarësh, përcjell KultPlus.

E lindur në Dundee të Skocisë në vitin 1723, Katherine Read ishte një nga portretistet më të njohura të kohës së saj, e specializuar në piktura me vaj dhe pastel, kryesisht të grave dhe fëmijëve. Në mesin e viteve 1770 ajo udhëtoi drejt Indisë, ku realizoi një sërë veprash, por ndërroi jetë gjatë kthimit për në Angli.

Dokumentari zbulon se gjatë shekullit XVIII, Read gëzonte një reputacion të jashtëzakonshëm. Ajo tarifonte 150 guinea për një portret të plotë, të njëjtën shumë që kërkonte piktori i njohur britanik Joshua Reynolds, ndërsa Thomas Gainsborough kërkonte 100 guinea. Megjithatë, me kalimin e kohës emri i saj ra në harresë, ndryshe nga bashkëkohësit e saj.

Gjatë episodit, drejtuesit e emisionit, gazetarja Fiona Bruce dhe historiani i artit Philip Mould, bashkëpunuan me studiues nga Dundee dhe Chennai të Indisë për të përcaktuar autorësinë e veprës dhe identitetin e gruas së portretizuar.

Eksperti i artit indian Charles Greig deklaroi se ishte “plotësisht i sigurt” se piktura ishte realizuar nga Katherine Read. Ndërkohë, studiuesit besojnë se gruaja e paraqitur në portret ka qenë bashkëshortja e një nawabi, një princi indian.

Zbulimi konsiderohet një hap i rëndësishëm në rivlerësimin e trashëgimisë artistike të Katherine Read, duke rikthyer në vëmendje kontributin e një artisteje që dikur ishte ndër portretistet më të vlerësuara të Britanisë. /kultplus