Bogujevci merr pjesë në hapjen e festivalit “As anej, as knej”
Ministrja në detyrë Saranda Bogujevci, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, morën pjesë mbrëmë në hapjen e festivalit “As anej, as knej”, një festival njëmujor që sjell në Kosovë artistë nga mërgata për të ndarë përvojat, kujtimet dhe perspektivat e tyre përmes artit.
Gjatë hapjes së festivalit, ministrja Bogujevci vlerësoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje kulturore, e cila krijon një hapësirë takimi mes artistëve nga diaspora, publikut në Kosovë dhe ideve të reja që lidhen me identitetin, migrimin dhe përkatësinë.
Ajo theksoi se ishte kënaqësi të shihte pjesëmarrjen e shumë të rinjve e të rejave që, ndonëse jetojnë dhe krijojnë jashtë Kosovës, vazhdojnë ta ruajnë lidhjen me vendin e tyre përmes artit dhe kulturës.
“Entuziazmi i tyre dhe dëshira për të qenë pjesë e jetës kulturore në Kosovë janë frymëzuese. Mërgata jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë një pasuri e jashtëzakonshme për vendin tonë”, u shpreh ministrja në detyrë Bogujevci.
Gjatë javëve në vijim, festivali “As anej, as knej” do të sjellë ekspozita, diskutime, performanca dhe programe të tjera kulturore që trajtojnë përvojën e migrimit, identitetit dhe lidhjeve me vendlindjen.
Përmes këtij festivali synohet të forcohet bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe mërgatës, duke dëshmuar se lidhjet e krijuara përmes artit dhe krijimtarisë vazhdojnë të fuqizohen pavarësisht distancës.