Guggenheim Abu Dhabi hapet më 11 dhjetor, duke shënuar një epokë të re për artin dhe arkitekturën

Guggenheim Abu Dhabi hapet më 11 dhjetor, duke shënuar një epokë të re për artin dhe arkitekturën

Kultura August 12, 2026 - 15:56

Pak projekte arkitekturore dhe kulturore kanë ngjallur aq shumë interes gjatë dy dekadave të fundit sa Guggenheim Abu Dhabi. Pas një pritjeje të gjatë, muzeu do të hapë dyert më 11 dhjetor 2026, duke u bërë muzeu i katërt aktiv i rrjetit Guggenheim, pas institucioneve në Nju Jork, Venecia dhe Bilbao.

I vendosur në ishullin Saadiyat, në një prej zonave kulturore më ambicioze të Lindjes së Mesme, Guggenheim Abu Dhabi synon të jetë më shumë se një degë e muzeut të famshëm. Ai do të jetë muzeu më i madh Guggenheim i ndërtuar deri më tani, me një program që synon të sjellë një perspektivë globale mbi artin modern dhe bashkëkohor.

Frank Gehry dhe një arkitekturë monumentale

Pas projektit qëndron arkitekti i njohur Frank Gehry, autori i Guggenheim Bilbao, një prej ndërtesave që ndryshoi mënyrën se si arkitektura mund të ndikojë në identitetin e një qyteti.

Planet për Guggenheim Abu Dhabi u prezantuan për herë të parë në vitin 2006, ndërsa projekti i Gehryt u bë publik në vitin 2009. Ndërtesa përbëhet nga 30 galeri, të organizuara rreth një atriumi të madh qendror.

Silueta e muzeut formohet nga 10 kulla monumentale me forma skulpturore, të realizuara me materiale si çeliku inox, rrjeta metalike, oniksi dhe xhami. Arkitektura është konceptuar si pjesë e pandashme e përvojës së vizitorit, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes hapësirës dhe veprave të artit.

Muzeu do të ketë më shumë se 11,600 metra katrorë hapësira të brendshme galerish, ndërsa hapësirat e jashtme për ekspozim do të jenë më shumë se dy herë më të mëdha.

Një histori më globale e artit bashkëkohor

Guggenheim Abu Dhabi do të dallojë edhe për mënyrën se si është konceptuar koleksioni i tij. Në vend që të mbështetet kryesisht në koleksione ekzistuese, muzeu po krijon një koleksion të posaçëm për hapësirën e re.

Fokusi do të jetë te arti nga vitet 1960 deri në ditët e sotme, duke përfshirë pikturën, fotografinë, skulpturën, instalacionet dhe mediat e reja.

Një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet artistëve nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika e Veriut, si dhe nga rajone të tjera që historikisht kanë pasur përfaqësim më të kufizuar në institucionet e mëdha të artit në Perëndim.

Sipas Mariët Westermann, drejtoreshë dhe shefe ekzekutive e Solomon R. Guggenheim Foundation, synimi është jo vetëm prezantimi i veprave të reja, por edhe ofrimi i një këndvështrimi më të gjerë mbi historinë e artit bashkëkohor, duke përfshirë perspektiva dhe zëra nga kontinente të ndryshme.

Saadiyat, qendra e re kulturore e Abu Dhabit

Guggenheim Abu Dhabi do të jetë pjesë e Saadiyat Cultural District, një zonë që po shndërrohet me shpejtësi në një prej qendrave kulturore më të rëndësishme në botë.

Në të njëjtën hapësirë ndodhen Louvre Abu Dhabi, teamLab Phenomena Abu Dhabi, Zayed National Museum dhe Natural History Museum Abu Dhabi, ndërsa është në zhvillim edhe një qendër e re për artet e skenës, e projektuar gjithashtu nga Frank Gehry.

Me hapjen e Guggenheim Abu Dhabi, ishulli Saadiyat pritet të konsolidojë edhe më tej rolin e tij si një pikë takimi ndërkombëtare për artin, arkitekturën dhe kulturën./kultplus.