Kostumet shqiptare në Manastir, tradita që ruan kujtesën ndër breza
Kostumet tradicionale shqiptare u prezantuan në Manastir, në një aktivitet ku morën pjesë përfaqësues të komuniteteve lokale, mysafirë nga rajoni dhe mërgata. Organizatorët thanë se ekspozita synon ruajtjen e kujtesës kulturore dhe përcjelljen e traditës te brezat e rinj.
“Folklori nuk është vetëm një valle, nuk është vetëm një kërcim, nuk është një këngë, por është një histori e gjallë që akoma jeton mes njerëzve. Jam shumë e lumtur që kjo pasuri materiale kalon nga një brez te brezi i ri”, tha Sibela Alimovska, aktiviste e vlerave kulturore kombëtare.
Përmes aktiviteteve të tilla, synohet që trashëgimia kulturore shqiptare të dokumentohet dhe të ruhet, veçanërisht në qytetin e Manastirit, ku historia shqiptare lidhet edhe me Kongresin e Alfabetit.
“Kam dëgjuar shumë gjëra, shumë histori, por ato nuk janë të dokumentuara, nuk janë të arkivuara dhe kjo do të jetë shumë interesante, sepse i kam kapur ato momentet e fundit të njerëzve që kanë për të treguar për të kaluarën e Manastirit”, theksoi Sibela Alimovska, aktiviste e vlerave kulturore kombëtare.
Organizatorët vlerësuan se ruajtja e trashëgimisë dhe bashkëpunimi kulturor ndërmjet komuniteteve janë të rëndësishme për ruajtjen e identitetit dhe përcjelljen e vlerave te brezat e rinj./rtk