Tingulli i Labërisë po kalon te brezi i ri, rikthehet kursi falas i fyellit
Tingulli i fyellit labe, nga tradita e jugut të Shqipërisë te një prej produksioneve më të mëdha kinematografike të Hollywood-it, po gjen një rrugë të re drejt brezit të ri. Mjeshtri i instrumenteve popullore, Vendim Kapaj, do të zhvillojë për të tretin vit radhazi në Vlorë një kurs falas për mësimin e fyellit dhe instrumenteve të tjera tradicionale.
Nisma synon t’u japë të rinjve dhe të apasionuarve pas muzikës popullore mundësinë të mësojnë drejtpërdrejt nga një prej njohësve të kësaj tradite dhe të njihen më nga afër me instrumentet që kanë shoqëruar prej brezash muzikën e Labërisë.Interesi për kursin, sipas Kapajt, është rritur ndjeshëm këtë vit. Përveç të rinjve nga Tepelena, Vlora, Kurveleshi dhe zonat përreth, në kurs ka të interesuar edhe nga Tirana, përfshirë disa vajza.
“Ky është viti i tretë radhazi që ofroj kursin falas të fyellit. Interesi këtë vit ka qenë edhe më i madh. Kam pasur të interesuar edhe nga Tirana, përfshirë disa vajza, ndërsa pjesa më e madhe janë të rinj nga Tepelena, Vlora, Kurveleshi dhe zonat përreth”, tha Kapaj për ATSH-në.Kursi do të zhvillohet nga shtatori 2026 deri në korrik 2027. Përveç fyellit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njihen edhe me instrumente të tjera tradicionale, si cylja dyjare, bilbili, xhamba, pipizana dhe instrumente të tjera të muzikës popullore shqiptare.
Këtë vit, nisma vjen në një moment të veçantë për Kapajn, pasi fyelli shqiptar ka marrë vëmendje edhe në skenën ndërkombëtare të kinemasë. Kapaj është përfshirë si solist në fyell në kolonën zanore të filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan dhe muzikë të kompozitorit Ludwig Göransson.
Përfshirja në këtë produksion ka bërë që një prej tingujve karakteristikë të muzikës tradicionale shqiptare të dëgjohet në një projekt me jehonë globale, duke sjellë një vëmendje të re edhe ndaj instrumentit dhe traditës që ai përfaqëson.
“Jehona që ka pasur emri im nga pjesëmarrja në filmin ‘The Odyssey’ ka ndikuar edhe në rritjen e interesit për kursin. Është kënaqësi që pas kësaj vëmendjeje ndërkombëtare, të shohim të rinj që duan të mësojnë dhe të vazhdojnë këtë traditë”, u shpreh Kapaj.
Përtej mësimit të një instrumenti, kursi falas synon të shërbejë si një mënyrë konkrete për ruajtjen e trashëgimisë muzikore shqiptare dhe për t’ua përcjellë brezave të rinj repertorin dhe teknikat e instrumenteve tradicionale.
Nga Labëria në një produksion të madh të kinemasë botërore dhe sërish te të rinjtë shqiptarë, fyelli po ndjek një rrugëtim që e lidh traditën me një audiencë të re, duke dëshmuar se tingujt e vjetër mund të gjejnë ende hapësirë në kohët moderne.