Dua Lipa zgjedh “Klara and the Sun” të Kazuo Ishiguros për klubin e saj të librit

Dua Lipa zgjedh “Klara and the Sun” të Kazuo Ishiguros për klubin e saj të librit

Kultura October 02, 2026 - 11:28

Dua Lipa ka bërë të ditur se romani “Klara and the Sun” i shkrimtarit britaniko-japonez Kazuo Ishiguro, është përzgjedhja e radhës për “Service95 Book Club”, klubin e librit që ajo drejton përmes platformës së saj “Service95”.

Këngëtarja tregoi se e kishte lexuar romanin për herë të parë kur u botua në vitin 2021 dhe se që prej atëherë ka lexuar edhe veprat e tjera të Ishiguros. Ajo e përshkroi autorin si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj bashkëkohorë dhe romanin si një prej të preferuarve të saj.

“Klara and the Sun” rrëfen historinë e Klarës, një “artificial friend” (AF), e krijuar për të qenë shoqëruese e kujdesshme e 14-vjeçares Josie. Në botën e romanit, fëmijët mësojnë në distancë përmes tutorëve në ekran, ndërsa disa prej tyre i nënshtrohen modifikimeve gjenetike, të njohura si “lifting”, me synimin për t’u dhënë aftësi më të avancuara intelektuale.

Në qendër të historisë është Josie, e cila vuan nga një sëmundje, ndërsa Klara beson se mund ta ndihmojë atë të shërohet. Ajo i drejtohet Diellit me besimin se fuqia dhe mirësia e tij mund t’i sjellin Josies shëndet.

Dua Lipa theksoi se një prej veçorive që e ka tërhequr më shumë në roman është mënyra se si Ishiguro u beson lexuesve për të zbuluar gradualisht detajet e vogla të historisë. Ajo përmendi pyetjet që ngre romani për fatin e motrës së Josies, Sal, për babanë e saj që jeton në një komunitet të armatosur dhe për portretin misterioz që zoti Capaldi dëshiron të krijojë të Klarës.

Sipas Duas, romani merr një kuptim të veçantë në një kohë kur ndikimi i inteligjencës artificiale po diskutohet gjithnjë e më shumë. Megjithatë, ajo vlerëson se në thelb “Klara and the Sun” është një vepër për njerëzimin, për atë që do të thotë të jesh njeri dhe për arsyen pse njerëzimi mbetet i pazëvendësueshëm.

“‘Klara and the Sun’ është një prej romaneve të mi të preferuar nga një prej autorëve tanë më të mëdhenj bashkëkohorë”, shkroi Dua, duke shprehur entuziazmin për diskutimin e veprës me anëtarët e klubit të librit. /kultplus

Image

Image
Image