Vjedhje e bujshme në Francë, zhduket kopertina e famshme e Salvador Dalit
Një tjetër muze në Francë është bërë objekt i një vjedhjeje të bujshme. Një kopertinë gjigante libri, e projektuar nga Salvador Dalí dhe me peshë rreth 150 kilogramë, është vjedhur gjatë natës nga një muze i vogël privat i artit bashkëkohor në qytetin Issoire, në Francën Qendrore.
Vepra është pjesë e “Livre de l’Apocalypse” (Libri i Apokalipsit), një projekt artistik i realizuar mes viteve 1958 dhe 1961 me iniciativën e botuesit francez Joseph Forêt dhe me pjesëmarrjen e 14 artistëve dhe shkrimtarëve të njohur, mes tyre Jean Cocteau, Bernard Buffet, Léonard Foujita, Leonor Fini dhe Ossip Zadkine. Salvador Dalí krijoi kopertinën e veçantë prej bronzi, të zbukuruar me gurë të çmuar, guaska deti dhe madje edhe pjesë takëmesh, duke vendosur në qendër figurën e Krishtit mbi një pllakë të artë.
Sipas mediave franceze, hajdutët kanë thyer vitrinën prej pleksiglasi ku ruhej vepra dhe kanë dëmtuar një nga portat e muzeut. Fatmirësisht, 150 faqet e brendshme të librit, të realizuara mbi pergamenë lëkure deleje, nuk ndodheshin në ekspozim dhe kanë mbetur të paprekura.
Kur u krijua, “Libri i Apokalipsit” konsiderohej libri më i rëndë dhe ndër më të shtrenjtët në botë. Pronari i veprës, artisti dhe restauratori Christian Karoutzos, e kishte blerë atë në vitin 2003 nga pronarë japonezë, të cilët kishin planifikuar ta ndanin në pjesë të veçanta për shitje.
Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit, ndërsa vjedhja është cilësuar si një humbje e madhe për trashëgiminë kulturore franceze. Rasti vjen pas disa grabitjeve të tjera që kanë prekur muze dhe institucione kulturore në Francë gjatë viteve të fundit. /kultplus