Ish-punëtorët e RTP-së i kërkojnë Presidentes shkarkimin e ministres Bogujevci për shkak të “Akordeve të Kosovës” në RTK

Ish-punëtorët e RTP-së i kërkojnë Presidentes shkarkimin e ministres Bogujevci për shkak të “Akordeve të Kosovës” në RTK

Kultura October 16, 2026 - 13:03

Një kërkesë drejtuar presidentes së Kosovës Justina Shiroka-Pula kërkon anulimin e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për organizimin e festivalit “Akordet e Kosovës”, si dhe shkarkimin e ministres së Kulturës, Saranda Bogujevci.

Në këtë letër, autori i së cilës është kryetari i Bordit të RTP-së, Qemajl Sokoli, kundërshton organizimin e festivalit nga RTK-ja dhe ndarjen e 1.2 milion eurove për realizimin e tij, duke pretenduar se “Akordet e Kosovës” janë trashëgimi e ish-Radio Televizionit të Prishtinës (RTP).

Sipas autorit, festivali është themeluar në vitin 1963 dhe është organizuar për dekada nga RTP-ja, ndërsa ndërprerja e tij ndodhi në vitin 1999.

Ai pretendon se marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe RTK-së është lidhur pa bazë të mjaftueshme ligjore dhe se përmes saj po cenohet trashëgimia kulturore dhe muzikore e RTP-së, transmeton Zeri.info.

Në kërkesën e tij, autori kërkon anulimin e marrëveshjes, ndërprerjen e financimit për festivalin në formën aktuale dhe ndarjen e mjeteve për organizimin e “Akordeve të Kosovës” sipas pretendimit të tij për të drejtat e RTP-së.

Një nga çështjet kryesore të ngritura në letër është ndarja e 1.2 milion eurove për organizimin e festivalit.

Autori pretendon se financimi është bërë pa procedurë të përshtatshme ligjore. Ai thotë gjithashtu se ka paraqitur kërkesë për 500 mijë euro në kuadër të një konkursi të Ministrisë së Kulturës, por se kërkesa e tij nuk është marrë parasysh.

Në dokument ngrihen edhe pretendime për përdorimin e materialeve arkivore dhe krijuese të festivalit, si dhe për cenimin e të drejtave autoriale.

Autori përmend gjithashtu një kontest lidhur me monografinë e tij kushtuar Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke pretenduar se Ministria e Kulturës ka mbështetur botimin e një vepre tjetër pa i respektuar të drejtat e tij.

Në letër ngrihen pretendime edhe për trajtimin e ish-punëtorëve të RTP-së dhe për pronën e këtij institucioni.

Autori pretendon se rreth 1.100 ish-punëtorë të RTP-së janë privuar nga të drejtat e tyre dhe se prona e institucionit është shfrytëzuar padrejtësisht për 27 vjet.

Ai pretendon se borxhi i akumuluar nga shfrytëzimi i pronës përmes qirasë arrin në 318 milionë euro, duke paralajmëruar se këtë çështje do ta ngrejë edhe në nivel ndërkombëtar.

Megjithatë, këto pretendime dhe shuma e përmendur në letër nuk janë të vërtetuara nga vetë dokumenti.

Në fund të kërkesës, autori paralajmëron se, nëse kërkesat e tij nuk merren parasysh, do t’i drejtohet publikut për mbështetje financiare për organizimin e festivalit.

Sipas letrës, ai synon që “Akordet e Kosovës” të mbahen më 26, 27 dhe 28 nëntor në Prishtinë.

Autori kërkon nga institucionet që të ndërhyjnë për të parandaluar atë që e cilëson si cenim të trashëgimisë së RTP-së dhe të të drejtave të ish-punëtorëve të saj.

“Zëri” në ditët në vazhdim do të provoj të marrë nëj qendrim nga Ministria e Kulturës dhe Radiotelevizioni i Kosovës. /Zëri

Image

Image