Piktura e rrallë e Rilindjes, e panjohur për publikun prej 70 vjetësh, del në ankand në Londër

Piktura e rrallë e Rilindjes, e panjohur për publikun prej 70 vjetësh, del në ankand në Londër

Kultura November 06, 2026 - 11:19

Një pikturë jashtëzakonisht e rrallë, e konsideruar ndër peizazhet më të hershme në historinë e artit perëndimor, do të dalë në ankand në Londër më 9 dhjetor, me një vlerësim prej 3 deri në 5 milionë funtesh.

Vepra është realizuar rreth vitit 1520 nga piktori gjerman i Rilindjes, Albrecht Altdorfer, i konsideruar si një nga artistët e parë evropianë që iu përkushtua pikturës së peizazhit në vaj. E titulluar “Peizazh me pyll të dendur, ylber pas pemëve dhe një shkëmb në distancë nën qiellin e mbuluar me re”, ajo nuk është ekspozuar publikisht prej rreth 70 vjetësh, pasi ka qenë pjesë e një koleksioni privat në Zvicër.

Piktura do të dalë në ankand nga shtëpia Sotheby’s. Sipas George Gordon, bashkëdrejtues i departamentit ndërkombëtar të mjeshtërve të vjetër në këtë shtëpi ankandesh, zbulimi i saj përbën një nga ngjarjet më emocionuese për botën e artit.

Para identifikimit të kësaj vepre, të realizuar në pergamenë me teknikën e pikturës në vaj, njiheshin vetëm dy peizazhe të tjera të mirëfillta në vaj nga Altdorfer: “Peizazh me urë këmbësorësh”, që ruhet në Galerinë Kombëtare në Londër, dhe “Peizazhi i Danubit pranë Regensburgut”, pjesë e koleksionit të Alte Pinakothek në Munih.

Me përmasa rreth 23 me 20 centimetra, piktura paraqet një pyll të dendur, pa figura njerëzore, mbi të cilin shtrihet një qiell me re. Në të shfaqen rrezet e diellit që depërtojnë me vështirësi përmes reve dhe një ylber që kap dritën. Gordon e përshkroi veprën si një krijim që përcjell një atmosferë intensive, pavarësisht përmasave të vogla.

Vepra ishte blerë në vitin 1957 nga babai i pronarit aktual, pasi më parë kishte qenë pjesë e koleksionit aristokratik të kontëve Harrach në Pallatin Harrach në Vjenë. Dalja e saj në ankand shënon herën e parë që nga viti 1980 që një vepër e njohur e Altdorferit ofrohet për shitje. Atë vit, piktura e tij “Krishti ndahet nga nëna e tij”, e realizuar më 1520, u ble privatisht nga Galeria Kombëtare në Londër për një shumë të raportuar prej 2.45 milionë funtesh.

I lindur më 1480 në Regensburg të Bavarisë, Altdorfer fillimisht u mor me vizatime dhe gravura. Pas një udhëtimi në jug, drejt Alpeve, rreth vitit 1511 ai nisi t’i kushtonte më shumë vëmendje paraqitjes së natyrës dhe peizazheve. Në veprat e tij, natyra zë një vend të veçantë, ndërsa format dhe figurat shpesh marrin karakter të theksuar shprehës.

Ai realizoi edhe vepra me porosi mbretërore, ndër to “Beteja e Aleksandrit në Issus”, e pikturuar më 1529 për dukën Wilhelm IV të Bavarisë dhe që sot ruhet në Alte Pinakothek në Mynih. Nga viti 1513, Altdorfer shërbeu në oborrin e perandorit Maksimilian I në Innsbruck, ndërsa gjatë Reformacionit u kthye në Regensburg, ku vdiq më 1538.

Para ankandit, piktura do të ekspozohet në Sotheby’s në New York deri më 19 nëntor, ndërsa në Londër do të prezantohet nga 4 deri më 9 dhjetor. Një ekspozitë e madhe kushtuar krijimtarisë së artistit, me titull “Albrecht Altdorfer: Një mjeshtër i Rilindjes gjermane”, ishte organizuar edhe në Luvër gjatë viteve 2020–2021. /kultplus

Image

Image