Van Gogh thyen rekord në ankand, piktura e tij shitet për 190.4 milionë dollarë

Van Gogh thyen rekord në ankand, piktura e tij shitet për 190.4 milionë dollarë

Kultura November 19, 2026 - 10:19

Një kryevepër e piktorit holandez Vincent van Gogh është shitur për një shumë rekord prej 190.4 milionë dollarësh (144.9 milionë paund ose 285 milionë dollarë australianë), në ankandin e zhvilluar të mërkurën nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s. Shitja u realizua pas një marrëveshjeje mes pronarëve të veprës dhe trashëgimtarëve të një familjeje hebreje, e cila e kishte zotëruar pikturën përpara se ta shiste gjatë periudhës së regjimit nazist në Gjermani.

Vepra “Chataigniers en fleurs” (Gështenjat në lulëzim), e realizuar në vitin 1890 në Auvers-sur-Oise të Francës, vendosi një rekord të ri për Van Goghun, duke u bërë gjithashtu vepra më e shtrenjtë e shitur në ankand gjatë këtij sezoni.Sipas The New York Times, piktura u ble nga William Acquavella, tregtar arti dhe drejtues i galerisë së njohur Acquavella Galleries.

Rekordi i mëparshëm për një pikturë të Van Gogh ishte 117.2 milionë dollarë, shumë e paguar për veprën “Orchard with Cypresses”, të realizuar në vitin 1888 dhe të shitur në ankandin e Christie’s në Nju Jork, në nëntor 2022. Megjithatë, gazeta The New York Times raportoi se një tjetër vepër e artistit, “Le Zouave”, gjithashtu e vitit 1888, ishte shitur në një transaksion privat për rreth 190 milionë dollarë, përmes Christie’s, më pak se një vit më parë.

Një histori e lidhur me persekutimin nazist

Piktura u ble në Paris, në vitin 1909, nga Samuel Fischer, një botues i njohur gjerman. Familja e tij e shiti veprën në vitin 1936, gjatë periudhës së regjimit nazist.

Trashëgimtarët e Fischerit kishin kundërshtuar më parë shitjen në ankand, duke argumentuar se familja ishte detyruar të hiqte dorë nga piktura për shkak të vështirësive financiare të shkaktuara nga persekutimi nazist.

Avokati i tyre me bazë në Berlin, Gunnar Schnabel, i kishte kërkuar Sotheby’s të provonte se vepra ishte shitur në atë kohë me vlerën reale të tregut dhe se familja do ta kishte shitur pavarësisht rrethanave politike.

Ndërkohë, familja Blaquier-Arrieta e kishte blerë pikturën në vitin 1975 dhe e ka zotëruar atë për më shumë se gjysmë shekulli, sipas Sotheby’s.

Të martën, një ditë përpara ankandit, Sotheby’s njoftoi se ishte arritur një marrëveshje mes familjes Blaquier-Arrieta dhe të gjithë pasardhësve ligjorë të Hedwig dhe Samuel Fischer lidhur me shitjen e veprës së Van Goghut.

Pas përfundimit të ankandit, avokati Schnabel deklaroi për The New York Times se familja shpresonte që interesi i madh publik për këtë çështje dhe zgjidhja e shpejtë, e drejtë dhe e ndershme e saj të shërbenin si inkurajim edhe për familjet e tjera që kanë vuajtur persekutimin gjatë epokës naziste.

Megjithatë, ai theksoi se atmosfera në sallën e ankandit nuk ishte aspak festive, duke u shprehur se “nuk kishte atmosferë për të hapur shampanjën”.

Nga ana e tyre, trashëgimtarët e familjes Fischer shprehën mirënjohjen për negociatat dhe bashkëpunimin me mirëbesim me Sotheby’s dhe familjen Blaquier-Arrieta.

Në një deklaratë të publikuar nga shtëpia e ankandeve, ata theksuan se marrëveshja bëri të mundur njohjen e vuajtjeve të familjes Fischer gjatë periudhës naziste, si dhe nderimin e përpjekjeve të Gisela Berman Fischer për të kërkuar drejtësi për familjen e saj.