A do ta ndalojë Evropa ligjin për ndryshimin e orës?
Foto: Ilustrim

A do ta ndalojë Evropa ligjin për ndryshimin e orës?

Kuriozitete March 31, 2024 - 08:20

Disa studime në Evropë dhe SHBA tregojnë se llogaritja verore e kohës (DST) ka shumë pak efekt në ruajtjen e energjisë.

Më 31 mars, njerëzit në të gjithë Evropën do të lëvizin orët e tyre një orë përpara, por kjo mund të jetë një nga herët e fundit që ndodh.

Kjo pasi nëse një peticion nga ekspertët rezulton i suksesshëm, përpjekjet në BE për ta shfuqizuar ndryshimin e orës do të ringjallen.

Madje, ata shpresojnë se çështja do të trajtohet gjatë fushatës zgjedhore evropiane, shkruan euronews.

Ndryshe, në vitin 2018 Komisioni Evropian propozoi zyrtarisht heqjen e ndryshimeve të orës dy herë në vit dhe Parlamenti e mbështeti atë propozim në një rezolutë në mars 2019.

Ndryshimet duhej të hynin në fuqi deri në vitin 2021, por që atëherë kanë mbetur të bllokuara në Këshillin e Bashkimit Evropian i cili i përfaqëson 27 shtetet anëtare.

Ndërsa diskutimi rishfaqet, një nga pyetjet më të mëdha që ende nuk ka marrë përgjigje është nëse DST në të vërtetë redukton konsumin e energjisë.

Pse u prezantua ndryshimi i orës në Evropë?

Në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani, DST u prezantua për të ruajtur qymyrin në Luftën e Parë Botërore.

Ajo u shfuqizua kur mbaroi lufta, por u kthye gjatë viteve 1980 kur u kthye nevoja për të kursyer burimet, e nxitur nga kriza globale e naftës.

Që nga viti 2002, të gjitha vendet në Bashkimin Evropian, me përjashtim të Islandës, duhet të ndryshojnë orët e tyre të dielën e fundit të marsit dhe tetorit.

Por a e zvogëlon ndryshimi i orës konsumin e energjisë?

Disa studime në Evropë dhe SHBA tregojnë se DST ka shumë pak efekt në ruajtjen e energjisë.

Në SHBA, një studim i kryer nga Departamenti i Transportit në vitin 1975 tregoi se kursimet e ditës ulnin rreth 1 për qind të përdorimit të energjisë në vend.

Ky kursim i parëndësishëm mund të jetë pjesërisht për shkak se shumë njerëz në SHBA ngrihen nga shtrati para orës 7 të mëngjesit.

Pjesa më e madhe e energjisë së kursyer nga mos ndezja e dritave në mbrëmje kompensohet duke i ndezur ato në mëngjes.

A do të ndalojë Evropa ndryshimin e orës?

Vitin e kaluar, ekspertët i kërkuan Këshillit të Bashkimit Evropian që të shtojë në agjendën e tij temën e heqjes së ndryshimeve të orës.

Me propozimin për t’i dhënë fund ndryshimit të orës që nuk është zbatuar ende, ata që janë në favor të heqjes shpresojnë se çështja do të trajtohet tani në zgjedhjet e Parlamentit të BE-së në qershor.

Kjo iniciativë ka nisur një Manifest në BE mbi Politikat e Kohës, duke përfshirë dymbëdhjetë ndryshimet e nevojshme që Evropa duhet të bëjë për të garantuar “të drejtën për kohë” për të gjithë evropianët.

“BE duhet të reagojë ndaj ndikimit negativ të orëve të gabuara duke nxitur zbatimin e zonave të përhershme kohore sa më afër që të jetë e mundur me kohën diellore në Evropë”, thuhet në manifest. /Telegrafi