Macet mund të jetojnë më gjatë falë një zbulimi japonez
Një terapi eksperimentale e krijuar në Japoni mund të hapë një kapitull të ri për shëndetin e maceve, duke synuar një nga sëmundjet më të zakonshme dhe më fatale për to: insuficiencën kronike të veshkave.
Pas më shumë se 20 vitesh kërkime, studiuesi japonez Toru Miyazaki dhe ekipi i tij kanë zhvilluar një injeksion që synon të ndihmojë organizmin e maceve të eliminojë toksinat që grumbullohen me kalimin e viteve, proces që çon gradualisht në dëmtimin e veshkave.
Sipas studiuesve, problemi lidhet me një mekanizëm biologjik specifik te macet. Ndryshe nga shumica e gjitarëve të tjerë, një proteinë që zakonisht ndihmon në pastrimin e mbetjeve toksike nuk aktivizohet siç duhet, duke bërë që organizmi të mos arrijë të mbrojë veshkat në mënyrë efikase.
Miyazaki e identifikoi këtë veçori biologjike që në fund të viteve ’90 gjatë punës së tij në Universitetin e Tokios, ndërsa zbulimet më të fundit janë publikuar së fundmi në një revistë shkencore veterinare.
Trajtimi i ri funksionon duke zëvendësuar në mënyrë artificiale funksionin e proteinës së munguar dhe studiuesit besojnë se kjo mund të ngadalësojë ndjeshëm përparimin e sëmundjes.
Kompania japoneze “Institute for AIM Medicine” ka paraqitur tashmë dokumentacionin për miratim pranë autoriteteve japoneze dhe, nëse procesi përfundon me sukses, terapia mund të jetë e disponueshme nga viti 2027.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se pretendimet për dyfishim të jetëgjatësisë së maceve deri në 30 vjet mbeten ende teorike dhe kërkojnë prova afatgjata klinike.
Projekti pothuajse u ndërpre gjatë pandemisë së COVID-19 për shkak të mungesës së financimeve, por arriti të vazhdojë falë mbështetjes financiare të mijëra dashamirësve të maceve në Japoni./atsh