Gruaja që bleu dy shtëpi duke shitur thashetheme për fqinjët
A mund të sigurohen të ardhura duke shitur thashetheme? Kjo është pyetja që ka nxitur debat në rrjetet sociale në Amerikën Latine, pasi një grua nga Kolumbia pretendon se e ka kthyer thashethemin në biznes dhe falë tij ka arritur të blejë dy shtëpi.
Bëhet fjalë për Myriam, 67 vjeçe nga qyteti Armenia, në departamentin Quindio të Kolumbisë, e cila është bërë virale pasi ka treguar se për vite me radhë ka mbajtur shënime për gjithçka që ndodhte në lagjen e saj.
Sipas saj, në një fletore shënonte grindjet familjare, lidhjet e fshehta, debatet mes fqinjëve dhe ngjarje të tjera të përditshme, transmeton Zeri.into.
Në vend që t’i ndante këto informacione falas, Myriam thotë se nisi t’u kërkonte pagesë atyre që donin të mësonin se çfarë po ndodhte në lagje. Ajo pretendon se çmimi ndryshonte në varësi të "vlerës" së thashethemit – sa më sensacional të ishte informacioni, aq më e lartë ishte tarifa.
Historia e saj u bë virale pas një interviste të shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe më pas u publikua nga disa media në Amerikën Latine. Në intervistë, Myriam pretendon se të ardhurat nga ky aktivitet i mundësuan të blinte shtëpinë që kishte ëndërruar gjithmonë dhe më vonë edhe një pronë të dytë.
Megjithatë, këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Mediat që kanë raportuar për rastin kanë përcjellë deklaratat e saj, pa konfirmuar nëse biznesi i shitjes së thashethemeve ka financuar vërtet blerjen e dy shtëpive.
Historia ka ngjallur reagime të shumta në internet. Disa e konsiderojnë Myriam një sipërmarrëse kreative që ka gjetur një mënyrë të pazakontë për të fituar para nga kureshtja e njerëzve, ndërsa të tjerë e kritikojnë duke thënë se përfitimi nga jeta private e të tjerëve është i papranueshëm.
Pavarësisht debateve, historia e saj ka kaluar kufijtë e Kolumbisë dhe është kthyer në një nga rrëfimet më virale të ditëve të fundit në Amerikën Latine. /Zëri