Franca miraton ligjin kundër “fast-fashion”, ndalon influencuesit të promovojnë marka të tilla

Franca miraton ligjin kundër “fast-fashion”, ndalon influencuesit të promovojnë marka të tilla

Lifestyle July 16, 2026 - 15:17

Franca ka miratuar zyrtarisht një ligj të ri, që synon të kufizojë ndikimin e "fast-fashion", duke përfshirë edhe ndalimin e influencuesve për të promovuar marka që bazohen në këtë model biznesi.

Ligji fokusohet veçanërisht te kompanitë që karakterizohen nga cikle jashtëzakonisht të shpejta prodhimi dhe konsumimi, si Shein dhe platforma të ngjashme. Shkelësit e rregullave mund të përballen me gjoba deri në 100 mijë euro.

Ndalimi i promovimit të këtyre markave nga influencuesit do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, duke u bërë pjesë e masave të reja për kontrollin e marketingut të modës me ndikim të lartë mjedisor.

Autoritetet franceze synojnë që përmes këtij ligji të reduktojnë mbetjet tekstile, të kufizojnë pasojat mjedisore të industrisë së modës dhe të nxisin modele më të qëndrueshme të prodhimit dhe konsumit.

Franca është ndër vendet e para që ka ndërmarrë masa të drejtpërdrejta kundër fenomenit të ultra-fast-fashion, një sektor që është rritur ndjeshëm vitet e fundit përmes prodhimit masiv dhe shitjeve online. /KultPlus