Pse disa njerëz ankohen në punë ende pa nisur orari?, ja çfarë thotë psikologjia

Pse disa njerëz ankohen në punë ende pa nisur orari?, ja çfarë thotë psikologjia

Lifestyle September 28, 2026 - 08:32

Për disa punëtorë dita e punës duket se fillon jo me kafenë e mëngjesit, por me ankesat për punën.

Edhe para se të nisë zyrtarisht orari, mund të dëgjohen ankesa për detyrat që presin, kolegët, shefin, ngarkesën apo ditën që sapo ka nisur, por pse ndodh kjo?

Sipas literaturës psikologjike, një prej shpjegimeve lidhet me atë që njihet si ankthi parashikues, një gjendje ku personi përjeton stres ose shqetësim duke menduar paraprakisht për diçka që ende nuk ka ndodhur.

Në rastin e punës, një person mund të nisë të mendojë që në mëngjes për të gjitha detyrat që e presin.

Edhe nëse ende nuk ka filluar orari, mendja mund të jetë tashmë e fokusuar te problemet e mundshme të ditës.

Kjo mund të shfaqet në forma të ndryshme, nga nervozizmi dhe mungesa e motivimit, deri te dëshira për t’u ankuar vazhdimisht ose për të diskutuar për gjërat negative që lidhen me punën.

Një fenomen i ngjashëm është i njohur si “Sunday Scaries”, term që përdoret për stresin dhe shqetësimin që disa njerëz përjetojnë para rikthimit në punë, veçanërisht në fundjavë.

Ekspertët e lidhin këtë gjendje me faktorë të ndryshëm, përfshirë ngarkesën në punë, mungesën e kontrollit mbi detyrat, marrëdhëniet problematike në ambientin e punës dhe vështirësinë për t’u shkëputur psikologjikisht nga puna edhe jashtë orarit.

Kështu, ankesa para fillimit të orarit nuk do të thotë domosdoshmërisht se personi është “dembel” apo nuk dëshiron të punojë.

Në disa raste, ajo mund të jetë mënyra se si individi shpreh stresin ose shqetësimin që e ka krijuar paraprakisht rreth ditës së punës.