Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Liridon Rexhës, familja kërkon mbështetje financiare
Familja e Liridon Rexhës ka bërë të ditur se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar, pas një periudhe trajtimi tre-mujor me kimioterapi dhe imunoterapi në Shqipëri, i cili sipas tyre nuk ka dhënë rezultatet e pritura.
Në një njoftim publik, familjarët theksojnë se pavarësisht shpenzimeve të mëdha për trajtimin e deritanishëm, analizat e fundit kanë treguar mungesë efekti të terapisë së aplikuar. Për këtë arsye, mjekët kanë rekomanduar vazhdimin e trajtimit të specializuar në Turqi, ku pacienti tashmë ka nisur procedurat e para mjekësore.
Sipas familjes, trajtimi i ri onkologjik, i cili përfshin terapi të avancuar, ka sjellë rritje të ndjeshme të kostove, duke e bërë të pamundur mbulimin e tyre vetëm nga familja. Ata bëjnë të ditur se mbështetja institucionale mbulon vetëm një pjesë të vogël të shpenzimeve, ndërsa pjesa tjetër e trajtimit, përfshirë ekzaminimet dhe terapitë, kërkon fonde shtesë.
Kostoja totale e trajtimit vlerësohet të arrijë rreth 200.000 euro.
Në këtë situatë, familja ka hapur një apel publik për ndihmë, duke kërkuar mbështetje nga qytetarët brenda dhe jashtë vendit, si dhe shpërndarjen e thirrjes për ndihmë.
Donacionet mund të realizohen përmes platformës GoFundMe, si dhe përmes llogarive bankare të specifikuara nga familja.
Familja Rexha ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar deri tani dhe apelon për solidaritet në këtë moment të vështirë.
Të gjithë ata që duan të ndihmojnë, të dhënat i gjeni në postimin më poshtë.