A ndihmojnë vërtet suplementet gjatë kohës së menopauzës?

A ndihmojnë vërtet suplementet gjatë kohës së menopauzës?

Shëndetësi May 09, 2026 - 08:14

Rrjetet sociale janë mbushur me produkte që premtojnë lehtësimin e simptomave të menopauzës – nga pluhurat kundër “mjegullës mendore”, deri te kapsulat për gjumë dhe balancim hormonal.

Suplemente si magnezi, kërpudha (lion’s mane), kreatina dhe kolagjeni po promovohen gjithnjë e më shumë si zgjidhje të domosdoshme për gratë gjatë periudhës së perimenopauzës dhe menopauzës, shkruan burimi Independent UK transmeton Gazeta Shneta.

Por ekspertët thonë se jo të gjitha pretendimet mbështeten plotësisht nga shkenca.

Rënia e nivelit të estrogjenit gjatë menopauzës mund të shkaktojë simptoma si afshe të nxehta, pagjumësi, ankth, lodhje mendore, dhimbje kyçesh dhe humbje të masës muskulore.

Terapia hormonale mbetet trajtimi më efektiv, por shumë gra kërkojnë alternativa natyrale.

Magnezi konsiderohet një nga suplementet më të dobishme, pasi ndihmon në relaksimin e muskujve, përmirësimin e gjumit dhe reduktimin e ankthit.

Ai gjithashtu mund të kontribuojë në forcimin e kockave, të cilat dobësohen pas menopauzës. Megjithatë, studimet nuk kanë treguar efekt të madh kundër afsheve apo problemeve të kujtesës.

Kërpudha “(lion’s mane)”, promovohet për përmirësimin e kujtesës dhe përqendrimit. Studimet tek kafshët kanë dhënë rezultate premtuese, por ende mungojnë prova të forta tek gratë në menopauzë.

Ndërkohë, kreatina mund të ndihmojë në ruajtjen e forcës muskulore, përmirësimin e energjisë dhe gjumit, ndërsa kolagjeni lidhet me shëndetin e lëkurës, nyjeve dhe kockave. Disa studime kanë treguar se kolagjeni mund të ndihmojë në rritjen e densitetit kockor tek gratë pas menopauzës.

Ekspertët theksojnë se suplementet mund të kenë përfitime, por ato nuk janë zgjidhje magjike. Para përdorimit, rekomandohet konsultimi me mjekun, sidomos për gratë me probleme të veshkave apo sëmundje të tjera kronike. /Gazeta Shneta