“Fëmijëria pa telefona ishte më e shëndetshme”, thotë logopedia Mirgena Preniqi
Logopedia Mirgena Preniqi vlerëson se gjeneratat që janë rritur pa telefona dhe rrjete sociale kanë pasur një fëmijëri më të shëndetshme, sidomos në aspektin e komunikimit, përqendrimit dhe zhvillimit emocional.
Ajo foli për ndryshimin e madh mes mënyrës se si kalonin kohën fëmijët dikur dhe mënyrës se si po rriten sot.
“Pak a shumë i takoj edhe unë gjeneratës që kemi qenë pa telefona. Në moshën kritike të zhvillimit tonë nuk kemi pasur telefonat nëpër duar dhe konsideroj që ka qenë një fëmijëri shumë më e shëndetshme”, deklaroi Preniqi.
Sipas saj, mungesa e teknologjisë në vitet e hershme kishte bërë që fëmijët të kalonin më shumë kohë në komunikim real, në lojëra fizike dhe në ndërveprim social me familjen dhe bashkëmoshatarët.
“Kemi pasur shumë ndërveprime të tjera, kemi luajtur, kemi bashkëbiseduar dhe kemi bërë lojëra të ndryshme”, tha ajo.
Preniqi shtoi se aktivitetet e tilla kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin e imagjinatës, durimit dhe koncentrimit tek fëmijët.
“Sot po shohim që fëmijët mësuesin e parë e kanë ekranin, që është totalisht gabim”, u shpreh logopedia.
Ajo paralajmëroi se ekspozimi i hershëm ndaj telefonave dhe teknologjisë po lidhet gjithnjë e më shumë me problemet në zhvillimin e të folurit, mungesën e përqendrimit dhe vështirësitë në komunikim.