Shpresë e re kundër kancerit, testohet me sukses ilaçi që aktivizon imunizimin dhe bllokon tumoret
Foto: Ilustrim

Shpresë e re kundër kancerit, testohet me sukses ilaçi që aktivizon imunizimin dhe bllokon tumoret

Shëndetësi June 01, 2026 - 12:40

Një trajtim i ri kundër kancerit është përshkruar si “i paprecedent” nga mjekët, pasi ka treguar rezultate premtuese në një provë klinike ndërkombëtare që përfshiu pacientë me forma të avancuara të sëmundjes dhe që nuk kishin reaguar ndaj trajtimeve të tjera.

Sipas Indepedent, bëhet fjalë për injeksionin amivantamab, të zhvilluar nga kompania farmaceutike Johnson & Johnson, i cili u testua në një studim të realizuar në 11 shtete, tek pacientë me kancer që ishte përhapur ose ishte rikthyer pas trajtimeve të mëparshme, transmeton Gazeta Shneta.

Sipas rezultateve të publikuara, tumoret janë zvogëluar në më shumë se një të tretën e pacientëve, ndërsa te 15 prej tyre është raportuar zhdukja e plotë e tumorit vetëm disa javë pas fillimit të trajtimit.

Profesori Kevin Harrington nga Instituti i Kërkimeve për Kancerin në Londër e ka cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm për pacientët që kanë shumë pak mundësi trajtimi, duke theksuar se rezultatet janë “jashtëzakonisht të forta” për këtë kategori të sëmurësh.

Në total, studimi përfshiu 102 pacientë me kancer të kokës dhe qafës, një nga format më të shpeshta të sëmundjes në nivel global.

Nga këta, 43 pacientë kanë shfaqur tkurrje ose zhdukje të tumorit, ku 28 prej tyre kanë pasur zvogëlim të dukshëm, ndërsa 15 janë raportuar pa tumor të detektueshëm.

Ekspertët thonë se ilaçi ka treguar rezultate premtuese edhe në disa lloje të kancerit të mushkërive.

Ilaçi amivantamab vepron duke synuar proteinat që ndihmojnë rritjen e qelizave kancerogjene dhe duke bllokuar mekanizmat që i bëjnë ato rezistente ndaj trajtimit, duke aktivizuar njëkohësisht sistemin imunitar të trupit.

Sipas të dhënave të studimit, pacientët që morën trajtimin kanë jetuar mesatarisht 12.5 muaj pas fillimit të terapisë, pavarësisht prognozave të vështira të sëmundjes.

Një nga pjesëmarrësit në studim, 56-vjeçari Carl Walsh, i diagnostikuar me kancer të gjuhës, ka deklaruar se është i kënaqur me përmirësimet që ka vërejtur që nga fillimi i trajtimit.

Rezultatet e plota të studimit pritet të prezantohen në konferencën vjetore të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike në Çikago, ndërsa studiuesit theksojnë se ky trajtim mund të hapë një kapitull të ri në luftën kundër disa formave agresive të kancerit. /Gazeta Shneta