Obeziteti në fëmijëri mund të ndikojë në fertilitetin e grave në moshë madhore

Obeziteti në fëmijëri mund të ndikojë në fertilitetin e grave në moshë madhore

Shëndetësi August 06, 2026 - 14:34

Vajzat që kanë pasur obezitet në fëmijëri, mund të kenë më pak gjasa të bëhen nëna në moshë madhore, sipas një studimi të ri.

Studiuesit zbuluan se rreziku rritet me kalimin e viteve dhe është edhe më i lartë te gratë që vazhdojnë të kenë obezitet edhe në moshën e rritur.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore JAMA Network Open, analizoi të dhënat e më shumë se 60 mijë grave daneze, të lindura ndërmjet viteve 1950 dhe 1989, duke krahasuar indeksin e masës trupore (BMI) në fëmijëri me lindjet e tyre në moshë madhore.

Rezultatet treguan se gratë që kishin pasur obezitet në fëmijëri ishin 22 për qind më pak të prira të lindnin fëmijë në fund të të njëzetave, ndërsa në moshën 35 deri në 45 vjeç kjo mundësi ishte 44 për qind më e ulët.

Sipas autores kryesore të studimit, Jennifer Baker nga Spitali Frederiksberg në Danimarkë, lidhja u vu re që në moshën 25 deri në 29 vjeç, ndërsa u bë edhe më e fortë në vitet kur gratë zakonisht kërkojnë trajtim për infertilitet.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se hulumtimi nuk provon se obeziteti në fëmijëri shkakton infertilitet, por sugjeron se pesha trupore në vitet e hershme të jetës mund të ndikojë në shëndetin riprodhues më vonë.

Ekspertët shpjegojnë se obeziteti shkakton inflamacion kronik të lehtë në organizëm dhe mund të dëmtojë funksionin e vezoreve, duke e bërë më të vështirë arritjen ose mbajtjen e një shtatzënie.

Autorët theksojnë se gjetjet nënvizojnë rëndësinë e parandalimit të obezitetit që në fëmijëri, jo vetëm për të ulur rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit, por edhe për të mbrojtur shëndetin riprodhues të grave në të ardhmen.