Dieta mesdhetare mund të ndikojë pozitivisht në shëndetin vaginal

Dieta mesdhetare mund të ndikojë pozitivisht në shëndetin vaginal

Shëndetësi November 09, 2026 - 21:09

Gratë që ndjekin më nga afër dietën mesdhetare mund të kenë një përbërje më të favorshme të mikrobiomës vaginale dhe rezultate më të mira gjatë trajtimeve të fertilitetit, sugjeron një studim i ri spanjoll. Megjithatë, studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një lidhje dhe jo për prova se kjo dietë rrit drejtpërdrejt shanset për shtatzëni.

Studimi u drejtua nga shkencëtarët e Institutit të Agrokimisë dhe Teknologjisë Ushqimore (IATA), pjesë e Këshillit Kombëtar Kërkimor të Spanjës (CSIC), në bashkëpunim me Spitalin Doctor Peset në Valencia.Studiuesit analizuan mikrobiomën vaginale të 104 grave të moshës 18 deri në 38 vjeç, me infertilitet primar, të cilat po ndiqnin trajtime të riprodhimit të asistuar. Mikrobioma vaginale përfshin bashkësinë e mikroorganizmave, kryesisht baktereve, që jetojnë natyrshëm në vaginë. Përmes analizave gjenetike dhe pyetësorëve për ushqyerjen, ekipi shqyrtoi lidhjen mes përbërjes së saj dhe ndjekjes së dietës mesdhetare, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.

Rezultatet treguan se gratë që mbetën shtatzënë kishin më shpesh një mikrobiomë ku mbizotëronin bakteret e gjinisë Lactobacillus. Këto baktere ndihmojnë në ruajtjen e mjedisit natyror acidik të vaginës. Ndërkaq, te gratë që nuk mbetën shtatzënë u vu re më shpesh prania e baktereve si Gardnerella vaginalis, të lidhura me çrregullimin e ekuilibrit të mikrobiomës vaginale dhe vaginozën bakteriale.

Studiuesit vunë re gjithashtu se gratë që pësuan abort spontan kishin nivele më të ulëta të Lactobacillus krahasuar me ato, shtatzënitë e të cilave përfunduan me lindje. Megjithatë, kjo nuk dëshmon se ndryshimet në mikrobiomë shkaktojnë humbjen e shtatzënisë.

Dieta mesdhetare, e pasur me fruta, perime, bishtajore, drithëra integrale, peshk dhe vaj ulliri, u shoqërua me profile të ndryshme të mikrobiomës vaginale. Studiuesit vlerësojnë se mikronutrientët që përmban kjo dietë mund të kenë rol në ruajtjen e shëndetit vaginal.

Megjithatë, nevojiten studime të mëtejshme për të përcaktuar nëse ndryshimi i ushqyerjes mund të ndikojë drejtpërdrejt në suksesin e trajtimeve të fertilitetit. Për momentin, dieta mesdhetare mund të konsiderohet pjesë e një stili të shëndetshëm jetese, por jo trajtim apo zëvendësim i kujdesit mjekësor për infertilitetin. /Gazeta Shneta/