Dita Botërore e Diabetit, thirrje për parandalim dhe trajtim të hershëm

Dita Botërore e Diabetit, thirrje për parandalim dhe trajtim të hershëm

Shëndetësi November 14, 2026 - 09:21

Sot është Dita Botërore e Diabetit, e shpallur si e tillë nga Kombet e Bashkuara, me synim rritjen e ndërgjegjësimit për këtë sëmundje kronike dhe rëndësinë e parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit të saj.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i të rriturve në botë që jetojnë me diabet, është më shumë se 500 milionë. Rritja më e shpejtë ka ndodhur në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Diabeti është një sëmundje kronike që shfaqet kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë, ose kur organizmi nuk arrin ta përdorë atë në mënyrë efektive. Ai mund të shkaktojë komplikacione serioze, përfshirë verbërinë, insuficiencën renale, infarktin, goditjen në tru dhe amputimin e gjymtyrëve të poshtme.

Ruajtja e një ushqyerjeje të shëndetshme, aktiviteti fizik dhe shmangia e duhanit ndihmojnë në parandalimin ose vonesën në shfaqjen e diabetit të tipit 2. Ndërsa kontrollet e rregullta, trajtimi me medikamente dhe ndjekja e komplikacioneve janë thelbësore për menaxhimin e sëmundjes./atsh