Mungesa e hekurit shpesh kalon pa u diagnostikuar
Mungesa e hekurit është një nga mangësitë ushqyese më të përhapura në botë, duke prekur mbi një miliard njerëz. Megjithatë, shumë prej tyre nuk e kuptojnë se organizmi i tyre nuk merr mjaftueshëm nga ky mineral.
Hekuri, që gjendet në mishin e kuq, bishtajore dhe fruta të thata, është i domosdoshëm për prodhimin e hemoglobinës, proteinës në rruazat e kuqe të gjakut që transporton oksigjenin. Ky mineral, gjithashtu ndihmon në furnizimin e muskujve me oksigjen, prodhimin e energjisë, funksionimin e sistemit imunitar dhe zhvillimin e trurit.Mungesa e hekurit mund të shkaktojë lodhje dhe vështirësi në përqendrim, por ndonjëherë nuk shfaq simptoma. Nëse rezervat e hekurit vazhdojnë të pakësohen, mund të zhvillohet anemia nga mungesa e hekurit, e cila pengon transportimin e mjaftueshëm të oksigjenit në organizëm, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Në rrezik më të lartë janë vajzat adoleshente, gratë me menstruacione të bollshme, gratë shtatzëna, foshnjat, fëmijët dhe të moshuarit. Rreziku rritet edhe te personat që konsumojnë pak ushqime të pasura me hekur dhe dhuruesit e shpeshtë të gjakut.
Pse mungesa e hekurit nuk zbulohet me kohë?
Simptomat shpesh janë të përgjithshme dhe mund të shfaqen gradualisht. Një tjetër problem është se kontrollet rutinore zakonisht matin hemoglobinën, e cila mund të mbetet normale edhe kur rezervat e hekurit kanë filluar të pakësohen.
Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë matjen edhe të ferritinës, proteinës që tregon rezervat e hekurit në organizëm. Shoqata Amerikane e Hematologjisë (ASH), në udhëzimet e publikuara në shtator 2026, sugjeron që mungesa e hekurit te të rriturit, gratë shtatzëna dhe gratë me menstruacione të diagnostikohet kur ferritina është 30 mikrogramë për litër ose më pak.
Megjithatë, te personat me sëmundje inflamatore, ferritina mund të jetë normale ose e rritur edhe kur organizmi ka mungesë hekuri. Prandaj, rezultatet duhet të vlerësohen në kontekstin klinik.
Mungesa mund të korrigjohet me suplemente, por është e rëndësishme të identifikohet edhe shkaku. Marrja e pakontrolluar e hekurit nuk rekomandohet, pasi dozat e larta mund të jenë të rrezikshme dhe të shkaktojnë efekte anësore, përfshirë dhimbje barku dhe kapsllëk. /Gazeta Shneta